TIRANE- Deputetja kritike në PS, Mimoza Hafizi deklaroi dje se Edi Ramës nuk i intereson më reforma në drejtësi, as si sukses dhe as si dështim. Në një postim në rrjetin social, “Facebook”, Hafizi shkroi se; “Sovraniteti, që PD pretendon se cenohet nga reforma në drejtësi është vetëm sovraniteti i 2-3 liderëve politikë, që duan të vendosin gjithçka në emër të popullit, pa përfillur vullnetin dhe interesat qytetare”.

“Me propozimet e tij të fundit, Edi Rama e braktisi hapur kauzën e reformës në drejtësi. Këtë reformë ai nuk e do më as si sukses dhe as si dështim të qeverisë së tij”, tha Hafizi.

Më tej, në përgjigje të komenteve të miqve të saj, në rrjetin social, Hafizi u shpreh: “Nëse e ka braktisur reformën, këtë koha do ta tregojë. Por qartazi kryeministri braktisi reformën si kauzë, si një çështje që politikanët me dinjitet e çojnë deri në fund, deri në triumf apo sakrificë”. Si ajo, edhe deputeti Ben Blushi kanë pohuar se do ta votojnë reformën në drejtësi.

“Unë e kam deklaruar votën time “pro” reformës dhe kam qenë një nga firmëtarët e draftit. Unë jam iniciatore e votimit të draftit, kam firmosur njësoj si 33 deputetët e tjerë që të votohet reforma në drejtësi. Jam shokuar nga diskutimet në Parlament të deputetëve PD për çështjen e sovranitetit. Ky draft dhe kjo reformë nuk cenon aspak sovranitetin e vendit, por vetëm sovranitetin e deputetëve”, është shprehur Hafizi.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: