SKRAPAR– Udhëtonin si çdo mëngjes për të mbërritur në shkollën e mesme të përgjithshme të Çorovodës, por mikrobusi përfundoi në humnerë. Automjeti me targa AA 445 KE me drejtues Astrit Hysin ku ndodheshin 25 nxënës të fshatrave Buzuq dhe Orizaj, doli nga rruga në fshatin Vërzhezhë, dhe përfundoi rreth 20 metra në greminë.

Përplasja ishte më e rëndë për 9 nxënës, si dhe një fëmijë 8-vjeçar që udhëtonte në mikrobus. Tetë prej tyre iu drejtuan spitalit të Beratit dhe Skraparit për të marrë mjekim si pasojë e plagëve të marra. Më e rëndë paraqitet situata për një 16-vjeçare, e cila u transportua me helikopter në Spitalin e Traumës për mjekim të specializuar.

16-vjeçarja e cila u dërgua në Tiranë sipas mjekut ka pësuar fraktura të kockës së këmbës dhe shtypje të mushkërive megjithatë gjendja e saj paraqitet në parametra të qëndrueshme.

Ndërsa nxënësit e tjerë, me gërvishtje të lehta, morën kurim në spitalin e Skraparit dhe u larguan prej aty pa probleme për jetën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb