Bashkim Fino, kandidat për kreun e FSHF-së, ka denoncuar jo pak parregullsi në mënyrën e funksionimit të këtij institucioni nën drejtimin e Armando Dukës. Shoqatat e konsideruara fantazëm prej tij, të paregjistruara në Gjykatë, është një çështje që ka përfunduar në Prokurori tashmë, pas kallëzimit penal të klubit të Flamurtarit. Mirëpo, ditën e sotme ka dalë në dritë edhe një tjetër përpjekje për të “dribluar” statutin dhe tjetërsuar anëtarët me të drejtë vote në Asamblenë Zgjedhore të 7 shkurtit. Një denoncim të tillë ka bërë sot publikisht Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar, që nuk e sheh veten në listën e shoqatave që votojnë, pasi në vend të saj është Shoqata e Futsallës, shkuan telesport.
shoqata
“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit dhe përbaltja e emrit të Shoqatës Sportive Minifutbolli Shqiptar, është e dobishme që të sqarojmë rolin dhe vërtetësinë e shoqatës që përfaqësojmë. Shoqata e Minifutbollit Shqiptar, themeluar në vitin 2002 dhe anëtare e Federatës Shqiptare të Futbollit prej vitit 2002 e në vijim, një shoqatë që ka marrë pjesë në Asambletë e FSHF-së prej Asamblesë së vitit 2002 dhe që ka një aktivitet të suksesshëm prej vitesh. Shoqata Sportive Minifutbolli Shqiptar ka qenë dhe është gjithmonë aktive me aktivitete. Dashamirësit e sportit e dinë më së miri, sepse janë gjithmonë pjesëmarrës në aktivitet tona. Ata që as kanë marrë pjesë e as mbështesin, por vetëm pengojnë, janë zyrtarët e nëpunësit e FSHF-së.

Duam gjithashtu të theksojmë, në të kundërt nga sa flitet nëpër media, që: Shoqata Sportive Minifutbolli Shqiptar është regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë me vendim nr. 54, datë 26.10.2001. Me nr. llogarie pranë Banka Kombëtare Tregtare: 512000253clotclallxq. Me president z. Klodian KADIU. Shoqata e Minifutbollit Shqiptar vlerëson të shpërndajë këtë deklaratë për shtyp për të sqaruar situatën aktuale karshi Federatës Shqiptare të Futbollit dhe disa veprime dhe mosveprime të paligjshme të saj. Shoqata e Minifutbollit Shqiptar i ka dërguar disa njoftime të protokolluara FSHF-së dhe së fundi edhe brenda afateve të përcaktuara statutore, në të cilin ka përcaktuar delegatin e saj në Asamblenë e FSHF-së. Përcaktimi i përfaqësuesit të çdo shoqate anëtare të FSHF-së është e drejtë e saj e pamohueshme dhe e patjetërsueshme. Këtë të drejtë të Shoqatës së Minifutbollit FSHF po tenton ta vjedhë. Nga ana e FSHF-së, ashtu siç është bërë publike këto ditë, po tentohet të manipulohen zgjedhjet dhe konkretisht të falsifikohet përfaqësimi i Shoqatës së Minifutbollit Shqiptar në Asamblenë e FSHF-së, duke përjashtuar përfaqësuesin legjitim të Shoqatës së Minifutbollit Shqiptar.

Një tentativë paraprake është bërë me heqjen e emrit të Shoqatës Sportive Minifutbolli Shqiptar nga lista e anëtarëve të asamblesë së FSHF-së, nga faqja zyrtare e kësaj të fundit. Diçka e pamundur në realitet, sepse Shoqata e Minifutbollit është anëtare me të drejta të plota, edhe pse në mënyrë mafioze, individë me poste drejtuese në FSHF kanë mundësuar falsifikime vulash e firmash e kanë bërë që persona pranë tyre të marrin pjesë në votime e jo përfaqësuesit e ligjshëm të Shoqatës së Minifutbollit. I bëjmë thirrje publike drejtueseve të FSHF-së të ndalojnë këto veprime të paligjshme, në të kundërt do të përballen me sanksionet ligjore përkatëse. I bëjmë thirrje FSHF-së dhe personave përkatës e të përfshirë në këtë vjedhje të rikthehen në ligjshmëri dhe të mos pengojnë përfaqësimin e anëtarëve të saj. I bëjmë thirrje FSHF-së të luajë “fair- play” dhe të mos njollosë këto zgjedhje, në rast të kundërt do të përballet me drejtësinë penale në Prokurori”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb