Nga Dorjana BEZAT

Pas lënies së detyrës Ministri i Brendshëm dhe Prokurori i Përgjithshëm do të ruhen nga Garda e Republikës për 2 vite.

“BalkanWeb” raporton se bëhet fjalë për një ndryshim në vendimin e vitit 2007 “Për përcaktimin e personaliteteve të tjera të larta shtetërore të vendit, që do të ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së Shqipërisë edhe pas lirimit nga funksioni”.

“BalkanWeb” mëson se ndryshimet erdhën në bazë të analizës së informacionit kriminal dhe riskut, të cilat janë vlerësuar në shkallë të lartë rreziku.

Vendimi i mëparshëm parashikon që Ministri i Brendshëm dhe Prokurori i Përgjithshëm të ruhen dhe mbrohen me shoqërim nga oficerë dhe nënoficerë deri në dy muaj pas lirimit nga detyra.

Por qeveria i ka ndryshuar afatet, duke bërë që këto dy personalitete të ruhen deri në dy vite. Në këtë mënyrë deri në vitin 2019 ish ministri i Brendshëm Tahiri dhe pasuesi i tij pasi të lërë detyrën do ketë eskortë personale, e cila do garantojë sigurinë e tij, raporton “BalkanWeb”.

Vendimi vlen dhe për kryeprokurorin Adriatik Llalla. Ky vendim qeverie vjen në një kohë kur Tahiri dhe Llalla kanë marrë disa herë kërcënime të drejtpërdrejta.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb