TIRANE – Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dekretuar sot shkarkimin e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço si dhe emërimin e Ylli Manjanit në krye të dikasterit të drejtësisë. Zyra e shtypit e Presidencës bën të ditur se kreu i shtetit ka pranuar propozimin e kryeministrit për shkarkimin e zotit Naço dhe zëvendësimin e tij me Ylli Manjanin.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dha dje dorëheqjen e parevokueshme nga posti që mbante prej dy vitesh. Ai pati një takim në mesditë, në ambientet e Kryeministrisë, me kreun e qeverisë, Edi Rama, ku dhe i ka komunikuar vendimin për dorëheqje. Ndërsa, përmes një letre ka sqaruar arsyet e këtij akti.

“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, por duke qenë i bindur se Reforma në Drejtësi dhe përmbushja e një roli më thelbësor të Ministrisë së Drejtësisë në përmirësimin e mirëqeverisjes dhe funksionimit të drejtësisë kërkon një nivel më të lartë të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të të gjithë aktorëve, jap dorëheqjen time si Ministër i Drejtësisë. Duke shpresuar që në çdo rast ky akt të ndihmojë në krijimin e klimës së bashkëpunimit të kërkuar për reformimin e sistemit të drejtësisë, ju uroj suksese në përmbushjen e obligimeve tuaja si Kryeministër”, – theksohet në letrën e Naços.

Kryeministri Edi Rama pranoi dje dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, duke e falënderuar atë për kontributin e dhënë në ekipin qeverisës.

Në njoftimin e Kryeministrisë sqarohet se: “Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim konsultativ me bashkëkryetarin e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’, Ilir Meta, ku kanë vlerësuar punën e ministrit Naço dhe kanë diskutuar për zëvendësimin e tij. Duke vlerësuar se kandidatura e Ylli Manjanit është më e përshtatshmja për të çuar më tej punën e nisur në drejtimin e institucionit, kryeministri ka diskutuar më pas me zotin Manjani përfshirjen e tij në kabinetin qeveritar. Reforma në Drejtësi, përmirësimi i punës në zyrat e hipotekave, rritja e cilësisë së shërbimit në burgje, si edhe ritmi i asistencës teknike të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e hartimit të akteve ligjore e nënligjore në funksion të reformave, kanë qenë në fokus të bashkëbisedimit”.

Kryeministri e ka falënderuar Ylli Manjanin për gatishmërinë për të kryer me përgjegjshmëri dhe efikasitet detyrën e lartë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: