MAQEDONI– Ballkani është linja e parë e mbrojtjes për Evropën nga lëvizjet, aksionet ekstremiste dhe migracioni ilegal, ndërsa për një përgjigje të duhur dhe për t’u ballafaquar me ato është e nevojshme integrim më i shpejtë i rajonit në aleancë, deklaroi ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov në konferencën “Maqedonia drejt anëtarësimit të plotë në NATO”.

Dimitrov theksoi se përfshirja dhe angazhimi i Maqedonisë në aktivitetet e përbashkëta rajonale kontribuojnë për mbështetje në mbrojtjen e plotë dhe kapacitetin ushtarak të aleancës.

Ai tha se rreziqet e reja të sigurisë me të cilat përballet bota kërkojnë qasje dhe përpjekje të përbashkët të shteteve në zgjidhjen e sfidave të hapura.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor, ashtu si Evropa dhe rajonet tjera të botës, po përballohen me lëvizje, aksione të ekstremistëve dhe migracion ilegal. Për shkak të pozitës gjeografike dhe gjeostrategjike në lidhje me kërcënimet transnacionale nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, rajoni ynë ka qenë dhe është i ekspozuar ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Aktivitetet e ISIS-it, kriza e refugjatëve, zgjerimi i ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, si dhe mbajtja e konflikteve të interesit paraqesin një kërcënim për implikime të drejtpërdrejta të mundshme të sigurisë të vendeve të rajonit nga Ballkani Perëndimor”, deklaroi Dimitrov.

Shefi i diplomacisë maqedonase theksoi se Shkupi kishte përshëndetur zgjerimin e fundit të NATO-s me Malin e Zi.

”Si vazhdim të kësaj politike nga aspekti gjeostrategjik, konsiderojmë se është e nevojshme që sa më shpejt Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s. Ne duam të jemi vendi i 30 anëtar i NATO-s”, tha Dimitrov.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: