TIRANË- Është prezantuar sot “Programi strategjik i Zonave të Mbrojtura për 2016-2020”. Të pranishëm në këtë prezantim ishin Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese dhe Mjedisit, Eduart Shalsi, përfaqësues së delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, përfaqësues të trupit diplomatik dhe donatorë të huaj në fushën e mjedisit.

Ministri Koka shprehu kënaqësinë që vetëm pak muaj pas krijimit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), prezantohet një program strategjik katërvjeçar, i cili do të sjellë një ndryshim rrënjësor në menaxhimin e integruar të zonave të mbrojtura.

“Vetëm 7 muaj më parë qeveria shqiptare vendosi të krijonte Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Me ngritjen e saj u konkretizua kështu vizioni, politika dhe vullneti i Ministrisë së Mjedisit, për të ngritur në një tjetër nivel menaxhimi këto zona . Kjo konferencë vjen vetëm pak ditë, pas publikimit të Progres Raportit 2015 ku u konstatua progres shumë më pozitiv në sektorin e mjedisit dhe mbrotjes së natyrës, krahasuar me atë të 1 viti më parë”: – tha Ministri Koka.

Ministri i Mjedisit theksoi se po përgatitet Ligji i ri për Zonat e Mbrojtura. “Ne po përgatisim Ligjin e Ri të Zonave të Mbrotjura, i cili do të udhëhiqet nga parimi Përdoruesi Paguan. Përgatija e ligjit fokusohet në dy aspekte kryesore: të sanksionojë me ligj, autonominë financiare të menaxhimit të këtyre zonave dhe Të ardhurat e gjeneruara të shkojnë në masën 100% në zhvillimin e këtyre zonave”.

Ministri Koka përmendi edhe arritjet e këtyre dy viteve në fushën e zonave të mbrojtura si: përafrimi i legjislacionit shqiptar me legjislacionin e BE-së në masën 90 për qind, projektet për përmirësimin e infrastrukturës, rehabilitimin dhe pyllëzime në 7 zona të mbrojtura hartimin e 12 planeve të menaxhimit etj.
Ndërkaq Ministri Koka kërkoi edhe mbështetjen e donatorëve për moratoriumin 10- vjeçar të pyjeve. “Gjej rastin të kërkoj nga ju, si aktorë aktivë në mbrojtjen e mjedisit mbështetjen ndaj Ministrisë së Mjedisit, në nismën tonë për vendosjen e moratoriumit 10 vjeçar të pyjeve.”

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej u shpreh se krijimi i AKZM-së është një nga arritjet e mëdha të Ministrisë së Mjedisit dhe se stafi i Agjencisë është bërë aktiv që në ditët e para të ekzistencës së tij. “Kemi tashmë gati një program strategjik 4-vjeçar të fokusuar në menaxhimin, promovimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura.”: – u shpreh Dedej.

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese dhe Mjedisit Eduard Shalsi mbështeti punën e bërë deri tani nga Ministria e Mjedisit.

“Si kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese e Mjedisit më duhet të them se për herë të parë në Kuvend në kemi kthyer vëmendjen ndaj mjedisit, ndaj faleminderit Ministër! Sot shqiptarët janë më miqësorë ndaj mjedisit. Më duhet të përgëzoj e të mbështes Ministrin Koka për krijimin e AKZM-së dhe nismat e tij për moratoriume. Ashtu si Ministri tha në fjalën e tij janë vërtet masa ekstreme, por kanë rezultat mjaft pozitiv e ndaj sot të gjithë gjykojmë se janë masa të domosdoshme. Grumbullimi i informacionit në fushën mjedisore e Zonave të Mbrojtura është pikë e rëndësishme.”: – u shpreh në fjalën e tij Shalsi.

Shefi i Sektorit Politik, Ekonomik dhe te Informacionit Delegacioni Europian në Shqipëri, Jan Rudolph theksoi se legjislacioni i Bashkimit Evropian është i fortë në mbrojtjen e natyrës dhe se delegacioni – BE-së dhe Cooperazione Italiana kanë financuar rreth 4 milionë Euro, për projektin“Natura 2000”, i cili sapo ka filluar punën në Shqipëri. Ai theksoi se Rrjeti Natura2000 në Shqipëri do të jetë mbrotjës dhe garantues i zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri për zonat e mbrotjura

Aktivteti vijoi më pas me prezantimin e Programit Strategjik për Zonat e Mbrojtura 2016-2020 dhe diskutimet teknike të donatorëve për sfidat e Shqipërisë në zonat e mbrojtura.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb