TIRANE- Ministria e Financave ka njoftuar sot mbi të dhënat për treguesit fiskalë paraprake të 9-Mujorit 2016. Kështu MF, njofton se, “Të ardhurat totale janë realizuar 298.1 miliardë lekë ose me një realizim 99 përqind në raport me planin e 9 mujorit të vitit 2016. Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 9 mujorin e vitit 2016, u realizuan në vlerën 259.5 miliard lekë dhe 20.9 miliard lekë ose 8.7% më shumë se 9 mujori i vitit 2015. Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 4.4 miliard lekë, ose 5.7% më shumë se 9 mujori i vitit 2015. Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 31 miliard lekë dhe 4.9% më shumë se 9 mujori i vitit 2015.

Sipas MF, “Sasia e cigares së importuar është rritur me 314 ton ose 16.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015 duke arkëtuar 2.4 miliard lekë më shumë. Arsyet e performancës pozitive përveç përmirësimit të vazhdueshëm të administrimit, lidhen edhe me situatën e normalizuar të fluksit të importeve të pandikuar nga ndryshimet e nivelit të taksimit për vitin 2016 për cigares”.

“Për zërin “Karburant import + prodhim vendi”, edhe pse sasia e karburantit është rritur me 0.4% ose 1,571 ton, efekti i rënies së çmimit të karburanteve ka sjellë për pasojë rënien e të ardhurave nga akciza për karburantet me rreth 5.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Për mallrat e tjerë të akcizës në përgjithësi paraqitet situatë pozitive me rritje të sasive të importuara dhe të prodhuara brenda vendit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015”, tha MF.

Sipas MF, “Të ardhurat nga renta minerare janë realizuar në vlerën 2 miliard lekë duke reflektuar rënien drastike të çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar. Në kushtet që renta llogaritet si përqindje ndaj vlerës, rezultoi se megjithëse sasia e eksportit të naftës bruto u rrit me 21,337 ton ose +2.9%, të ardhurat nga renta u ulën me 913 milion lekë krahasuar me 9 mujorin e vitit 2015. Renta për kg e naftës bruto ka rënie nga 3.41 lekë/kg për 9 mujorin 2015 në 2.07 lekë/kg 9 për 9 mujorin 2016”.

MF shton se, “Të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 71.3 miliard lekë ose 3.7% më shumë se 9 mujori i vitit 2015. Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 24.9 miliard lekë ose 13.3% më shumë se 9 mujori i vitit 2015. Faktor që ka ndikuar në këtë rezultat ka qenë rritja e rimbursimeve me 19.9% ose me 1 miliard lekë, si rezultat i masave përmirësuese për thjeshtësimin dhe reduktimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së”.

Ndërsa thekson MF, “Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 21.7 miliard lekë ose 19.2% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 20% më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve. Faktorë të tjerë përmendim: fazën e dytë të planit të veprimit kundër informalitetit të orientuar drejt kontrolleve bazuar në analizën e riskut dhe në vazhdimësinë e proceseve. Thjeshtëzimi i procedurave të deklarimit dhe instalimi i një komunikimi permanent me operatorët e biznesit po gjeneron performancë më të lartë”.

“Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 24.4 miliard lekë. Kontributi i këtij zëri në të ardhura është 11.1% më shumë se 9 mujori i vitit 2015. Zëri “Taksat Kombëtare” është realizuar në masën 24.1 miliard lekë ose 11% më shumë se 9 mujori i vitit 2015. Të ardhurat nga kontributet e DPT janë realizuar në vlerën 55.5 miliard lekë ose 13.1% më shumë se 9 mujori i vitit 2015”, nënvizon MF.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb