BULLGARI- Zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zakharieva, ka deklaruar se pas nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Këshilli për Çështje të Përgjithshme në BE, me të cilin kryeson ajo, javën e ardhshme mund të japë dritë jeshile për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë në BE.

“Në mbledhjen e Këshillit do të diskutohet për temën e zgjerimit. Nëse Këshilli jep dritë të gjelbër, zgjidhja mund të konfirmohet në mbledhjen e Këshillit të Evropës më 29 dhe 30 qershor”, tha Zakharieva për “Nova TV” bullgare.

Ajo shtoi se entuziazmi për zgjerim i disa vendeve anëtare nuk është i madh, por tha se Maqedonia meriton dhe duhet t’i jepet perspektivë e qartë.

Zakharieva përsëriti edhe një herë qëndrimin se Bullgarisë i intereson që Maqedonia të jetë stabile dhe të integrohet drejt NATO-s dhe BE-së.

Ajo tha se marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë në asnjë mënyrë nuk do ta rrezikojë marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes Shkupit dhe Sofjes, e cila u nënshkrua vitin e kaluar nga kryeministrat Zoran Zaev dhe Boyko Borisov.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb