TIRANE – Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi mori pjesë sot në konferencën me titull “Reforma në Drejtësi, një parakusht për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri”, e cila u organizua nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) në bashkëpunim me delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë.

Në fjalën e saj, Ministrja Ekonomi theksoi rëndësinë që reforma në drejtësi në përmirësimin e klimës së biznesit dhe e konsideroi atë si një gur themeli që do të përmirësojë jetën e qytetarëve shqiptarë.

Ministrja u shpreh se: “Reforma në drejtësi është një nga ato gurët e themelit që do ta përmirësojë shumë jetën e qytetarëve, duke i shpëtuar nga kalvari i kohëzgjatjes në shqyrtimin re ankesave të tyre. Ne shohim që 91 për qind e popullatës ka nevojë për të vendosur një sistem gjyqësor të pranueshëm dhe të operueshëm në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë që dhe jeta e biznesit nuk është e vështirësuar nga këto gjëra, por do të thotë që ka hapësirë për të punuar më mirë, do të thotë që duhet ta përqafojmë të gjithë me shumë përkushtim dhe me entuziazëm, si dhe me përgjegjësi faktin që reforma në drejtësi është një nga elementët më të rëndësishëm për të bërë progres sot Shqipëria.

Unë besoj se gjithë shqiptarët dhe qeveria shqiptare janë të bindur që reforma në drejtësi është diçka që duhet të shkojë përpara, nuk duhet ta ndërpresë asnjëherë ëndrrën europiane të shqiptarëve dhe duhet të ndihmojë padyshim në rritjen e klimës së biznesit, në përmirësimin e saj dhe duhet të ndihmojë padyshim që shqiptarët të kenë një jetë më të mirë dhe të begatë.

Gjatë diskutimit të saj, Ministrja Ekonomi tha se reforma në drejtësi nuk është vetëm një çështje e brendshme, por edhe një çështje rajonale, e lidhur ngushtë me konektivitetin mes vendeve të rajonit. “Shqipëria duhet të punojë së bashku me vendet e tjera të rajonit, si Maqedoninë e Serbinë, dhe ato duhet të punojnë së bashku për të parë nëse do të jenë të afta të kenë të njëjtin nivel të përgjigjeve ndaj kërkesave që vijnë nga Bashkimi Europian dhe të ketë të njëjtin nivel të përgjigjeve për të fituar projekte që do të ndihmojnë rajonin për të ecur përpara. Kështu, në këndvështrimin tim, presioni për reformën në drejtësi nuk është vetëm një presion kombëtar, por është dhe një presion rajonal. Ne duhet të bëjmë gjëra sepse ne duhet të kemi të njëjtën shpejtësi sa dhe vendet e tjera. Nuk është vetëm një çështje e brendshme por është dhe një çështje rajonale. Unë e shoh situatën në këtë perspektivë”, tha Ministrja.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin dhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, znj. Romana Vlahutin, zëvendës Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, z. David Muniz, përfaqësues nga biznesi, etj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb