NGA DARINA TANUSHI

TIRANE- Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u shpreh dje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se PS, pavarësisht se ka marrë votat e nevo-jshme për të drejtuar Shqipërinë do të pranojë në aleancë me të gjithë ata që i bashkohen projektit të saj kuq e zi për Shqipërinë. E pyetur nëse do të largohen nga puna përfaqësuesit e LSI-së, tashmë që aleanca u prish, ajo u shpreh se qeverisja socialiste nuk do të jetë armike e askujt, dhe mike e gjithkujt që zbaton ligjin, por do të diskutohen punësimet nepotike.

Zonja Kodheli a është i pritshëm rezultati që mori PS në këto zgjedhje, plot 74 mandate?
Është shumë e thjeshtë sot të japësh një përgjigje kur 74 mandatet i ke, në fakt, të marra. Sigurisht që ka pasur vlerësime nga më të ndryshmet, duke filluar që nga pyetësorët, rezultatet e anketimeve që ne kemi bërë, e deri tek anketimet e profesionistëve, të cilët janë luhatur nën dhe mbi 70 mandatet. Ajo ç’ka është e rëndësishme për ne është që ne kishim besim te rezultati pozitiv i punës së jashtëzakonshme që kemi bërë duke qenë prezent në terren dhe këtu flas jo vetëm për drejtuesit e qarqeve, por edhe për të gjithë listën e kandidatëve për deputet, por dhe të gjithë parapërgatitjet që ne i kemi bërë fillimit të procesit zgjedhor më parë. Kemi ringritur strukturat partiake, kemi punuar që vitin e kaluar për këtë gjë, kemi pasur kontakte të vazhdueshme me njerëz të profileve të ndryshme, të grupeve të ndryshme shoqërore, qofshin këta të profesioneve të ndryshme, të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Dhe kjo sigurisht që na e ka bërë relativisht më të lehtë finalizimin e procesit zgjedhor me fitoren e 74 mandateve. Kështu që ne shkonim të sigurt drejt fitores, pavarësisht se sa do të ishte kjo. Sigurisht që jemi shumë të kënaqur me ç’ka kemi mbërritur dhe e kemi marrë këtë sot që flasim si përgjigje jo vetëm të asaj ç’ka kemi bërë, por dhe të shpresës për atë ç’ka do të bëjmë në të ardhmen.

Në këto zgjedhje ju u deleguat në një qark të vështirë për PS, si ai i Kukësit ku morët vetëm një mandat deputeti. Pse është kaq e vështirë fitorja e PS në qarkun e Kukësit tradicionalisht?
Nuk ka fitore të lehta e fitore të vështira. Të gjitha fitoret janë të vështira. Dhe duhet të jetë kështu. Fitoren duhet ta djersitësh, duhet ta vlerësosh, ta konsiderosh si një target të vështirë për t’u mbërritur, ndaj nuk ka fitore të lehta. Thënë kjo, besoj që qarku i Kukësit tradicionalisht ka votuar djathtas për shumë arsye. Qarku i Kukësit përbëhet nga 3 rrethe, të cilat kanë karakteristika të ndryshme. Ndryshon Kukësi nga Hasi, ndryshon Hasi nga Tropoja. Gjëja që dua të them është që unë kam pasur besim të palëkundur se rezultati do të ishte ai që ishte, madje gati-gati mendoja dhe shpresoja që do të ishte më i mirë se aq dhe këtë e them me bindje për shumë arsye. Mua më vjen keq që atje ku tradicionalisht e djathta ka fituar, ka pasur gjithmonë më pak investime se tjetërkund.

Dhe ky është një paradoks dhe një tabu i cili besoj që tashmë është thyer me rezultatin që kemi marrë. Ne kemi pasur një rezultat do të thosha spektakolar është pak të them me mbi rreth 5 mijë vota, më tepër krahasuar me 2013 në Bashkinë Kukës. Kjo flet për 2 gjëra besoj unë: E para, për punën jo të mirë të Bashkisë. E dyta, për prezencën jo domosdoshmërisht të mjaftueshme të atyre që qarkun e Kukësit e kanë përfaqësuar më parë në Parlament. Besoj që edhe rezultati spektakolar në Tropojë na ka dhënë forcë edhe besim, por njëkohësisht na ka dhënë edhe një mesazh, që është mesazhi i shpresës më të madhe që Tropoja ka, i ndikimit të jashtëzakonshëm pozitiv që investimet në Bajram-Curri edhe në Tropojë kanë pasur nga investime të qeverisë Rama edhe sigurisht nga përfaqësimi dinjitoz që ne kemi pasur me kandidaten, doktoreshën Doçi, për deputete atje. Për sa i përket Hasit besoj që, pavarësisht rezultatit pozitiv me mbi 800 vota më tepër krahasuar me katër vite më parë, jo detyrimisht i gjithë investimi i rilindjes urbanë në Has na është përkthyer në votë.

Por 800 e ca vota janë gjithmonë 800 e ca vota. Një falënderim dhe mirënjohje edhe për qytetarët e Hasit që kanë ditur të kenë një rezultat më pozitiv se në 2013-tën. Diferenca ka qenë shumë e madhe e viteve më parë, janë mbi 11 mijë vota diference mes PS dhe PD krahasuar me vitin 2013 dhe fakti që ne kemi rikuperuar mbi 8 mijë vota do të thotë që shpresa në qarkun e Kukësit për të ardhmen është më e madhe se në çdo qark tjetër.

A ja keni bërë ndonjëherë vetes pyetjen gjatë kësaj fushate ose kryeministrit, se ku e gjenit garancinë që mbas këtyre reformave jo pa kosto, ju kërkonit të merrnit mbi 70 mandate për qeverisjen?
Sigurisht ne e dinim që në krye të herës që reformat do të ishin të vështira, do të kishin kosto, nuk e kemi vënë asnjëherë në dyshim këtë gjë. Zotësia jonë ishte që t’i shpjegonim njerëzve sa më shpejt dhe sa më mirë që reformat ishin për vendosjen e ligjit, për të mirën e shtet formimit, për të mirën e punëve të mëtejshme, për të rritur dinjitetin e shtetit Shqiptarë dhe të shqiptarëve dhe sigurisht dhe për të bazuar reforma të tjera mbi këto reforma. Kjo, me qëllim hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, me qëllim mbylljen e shumë vrimave të zeza në financat publike dhe sigurisht edhe vënien e drejtësisë në shumë sektor. Besoj që njerëzit kanë ditur çfarë kanë kuptuar në këto reforma, pavarësisht se shumë prej këtyre mund të jenë prekur dhe këtë e kanë absolutisht shprehur me votë në 25 qershor. Kjo ditë thotë që ne i kemi bërë reformat e duhura dhe kemi pasur njerëzit në anën tonë.

Kështu që kemi qenë krejt komodë me këtë gjë, sepse kemi qenë në anën e njerëzve e theksoj edhe me njerëzit. Edhe e theksoj do vazhdojmë ta bëjmë këtë më besimin e plotë që ata o të vazhdojnë të na mbështesin dhe të na mirëkuptojnë për mbarëvajtjen e reformave dhe vazhdimin e rrugës ku kemi hyrë, të shtet formimit dhe të kthimit të dinjiteti, shtimit të vendeve të punës dhe hapjes së negociatave me BE për një rrugë reale drejt Europës tashmë.

Intervistën e plotë e lexoni në “Gsh.al”:

 

http://www.gsh.al/2017/07/10/intervista-mimi-kodheli-paralajmeron-administraten-tani-do-te-luftojme-kaosin-dhe-nepotizmin/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb