*Musliu: Miratimi i deklaratës për Asociacionin e komunave shqiptare në Serbi, akt historik

Keshilltarët shqiptarë të tri qyteteve të Luginës – Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit miratuan sot Deklaratën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi.

Deklarata u miratua në mënyrë unanime, respektivisht asnjë nga 43 këshilltarët komunalë nga të tri komunat nuk votoi kundër.

Kryetari i Preshevës Ragmi Mustafa gjatë mbledhjes tha se sot është një ditë historike. Ai tha se shqiptarët e Luginës çdo ditë janë nën trysninë e deklaratave kërcënuese të qeverisë së Serbisë.

Ndërsa kryetari i Këshillit Nacional Shqiptarë Jonuz Musliu tha se rrugë tjetër nuk ka përveç realizimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës. Sipas tij, Serbia gjithmonë ka qenë e interesuar për spastrim etnik dhe marrjen e tokave shqiptare. Musliu theksoi se shqiptarët janë të vendosur që të realizojnë vullnetin e tyre dhe asgjë më shumë.

Në mbledhje nuk morën pjesë përfaqësuesit e opozitës në Preshevë, gjegjësisht Partia e Veprimit Demokratik e Riza Halimit.

Mbledhja u mbajt në Kuvendin e Komunës së Preshevës dhe në të moren pjesë përfaqësues të shqiptarëve të Luginës. Zyrtarët serbë reaguan me zemërim ndaj paralajmërimeve të udhëheqësve politikë të shqiptarëve për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Shqiptare të Luginës së Preshevës, sipas përfaqësuesve shqiptarë të atjeshëm, do të kishte fuqinë e njëjtë juridike me Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe në Republikën e Kosovës, duke u bazuar në parimet e reciprocitetit.
Organet e Asociacionit do të themelohen mbi bazën e statutit që do të hartohet nga një grup punues dhe miratohet nga Kuvendi.

Në rrethana të caktuara kombëtare e ndërkombëtare nëse vjen deri te ndryshimi i statutit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, sipas organizatorëve, atëherë do të ndryshojë edhe statuti i Asociacionit të Komunave Shqiptare në Luginë.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçic, e ka quajtur veprim të papërgjegjshëm politik dhe të papranueshëm.

“Serbia di si të reagojë – me urtësi dhe mençuri. Nëse është e nevojshme ta tregojë fuqinë, mos keni dert, sepse gjithsesi do ta tregojë”, ka theksuar Vuçic.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se shqiptarët në Serbi nuk bën të jenë të diskriminuar, por ata duhet ta respektojnë kushtetutën e saj.

“Ua tërheq vërejtjen që të shtunën në Preshevë të mos bëjnë ndonjë paralele me Asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Ua tërheq vërejtjen të mos luajnë me zjarrin dhe të respektojnë kushtetutën dhe rendin e Republikës së Serbisë. Fakti që Serbia është për bisedime nuk do të thotë se është e dobët, përkundrazi ajo është e fuqishme, më e fuqishme në 20-30 vjetët e fundit”, citohet të ketë thënë ai.

 

Përfaqësuesit shqiptarë kanë kërkuar në vazhdimësi trajtim të njëjtë për ta sikurse për serbët në Kosovë.

Udhëheqësit politikë të zonës thonë se situata në Luginë vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Ata shumë herë kanë shfaqur shpresën që edhe procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të krijojë hapësirë për përmirësim të gjendjes në atë zonë.

Musliu: Miratimi i deklaratës për Asociacionin e komunave shqiptare në Serbi, akt historik
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu, e cilësoi sot deklaratën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi, një akt historik.

Në një prononcim për News24, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Musliu theksoi se “ky krijim është vullnet i shqiptarëve të Luginës së Preshëvës dhe këshilltarëve të kuvendit të komunave me shumicë shqiptare”.

Sipas tij, miratimi i kësaj deklarate është një akt historik.
“Evropa nuk mund të veprojë me dy standarde, ndryshe për serbët e Kosovës dhe ndryshe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Musliu.

Musliu tha se “në Preshevë ka prezencë të forcave të policisë, por jo të shtuara. Nuk është hera e parë që Serbia kërcënon. Këto kërcënime që na kanë ardhur nga qeveria e Republikës së Serbisë nuk mund ta ndalin këtë vullnet të bashkimit të komunave të Preshevës, Medgjevës dhe Bujanocit për zgjidhjen e problemeve te tyre”.

Ai shtoi se ky asociacion do të jetë i njëjtë me asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Krijimi i asociacionit të komunave me shumicë shqiptare do të përmirësojë mirëqenien sociale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, perfundoi Musliu.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb