NGA ORNELA MANJANI

TIRANE
– Komisioni i Ekonomisë miratoi paketën fiskale 2017 së bashku me dy taksat e reja për akcizën e gazit të lëngshëm dhe atë të makinave të luksit. Kriteret e reja për pagesën e taksave për makinat e luksit hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Pragu që një mjet të konsiderohet luksi zbret në çmimin e blerjes 5 milionë lekë, nga 7 milionë që është këtë vit. Taksa e luksit paguhet nga autoveturat me numrin e vendeve 4+1, me cilindrat 3000 kubikë dhe çmim blerjeje 5 milionë lekë. Taksa e luksit paguhet nga rreth 5.400 mjete, ose 1.5 për qind e totalit të makinave. Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor janë përcaktuar gjithë procedurat për pagesën e taksave vjetore dhe një shembull që tregon se si do të llogariten detyrimet për mjetet gjatë vitit të ardhshëm. Taksa e luksit llogaritet në dy faza.

Mbi makinat luksoze zbatohet taksë regjistrimi për herë të parë në masën 70.000 lekë dhe taksë e përvitshme në masën 21.000 lekë çdo vit. Taksa prej 70 mijë lekësh është taksa vetëm për regjistrim për herë të parë, dhe kjo taksë nuk e shoqëron mjetin pas regjistrimit për herë të parë, pra në vitin pasardhës drejtuesi i mjetit do të paguajë vetëm 21 mijë lekë. Sipas ligjit në fuqi, taksa e luksit paguhet nga makinat me cilindrat motorikë mbi 3 mijë kubikë dhe çmimi i mjetit do të jetë mbi 7 milionë lekë. Ndërsa për vitin e ardhshëm do të ndiqet e njëjta praktikë, por kufiri do të jetë 5 milionë lekë çmimi i blerjes.

KOMISIONI
Është lënë i hapur diskutimi i amendamentit të LSI-së për akcizën e gazit; gjithçka do të vendoset në seancën e 15 dhjetorit. Komisioni i Ekonomisë miratoi heqjen e taksave për makinat e invalidëve, akcizën e naftës për peshkimin si dhe uljen e taksës për grumbullimin e mbetjeve urbane. Kryetari, Erjon Braçe sqaroi vendimet e marra, duke u ndalur te heqja e taksës për automjetet e invalidëve, zero akcizë karburanti për flotën e peshkimit dhe uljen në 1 lek të taksës për grumbullimin e mbetjeve urbane. Diferencimi i taksës për materialet e riciklueshme u kundërshtua nga ish-ministri Bode. “Njerëzit me aftësi të veçanta në Republikën e Shqipërisë, të vendosim përjashtimin për mjetet motorike të tyre, nga motorët deri te makinat. Kemi ulur rentën minerare për të gjitha mineralet që do të përpunohen. Kemi vendosur që të mbajmë në fuqi skemën aktuale për përjashtimin e sektorit të peshkimit nga akciza, kemi ulur taksën kombëtare mbi mbetjet e grumbulluara, ambalazhin e grumbulluar për qëllime riciklimi brenda vendit nga 50 lekë në 1 lekë për kg. Taksat doganore për lëndën e parë që përdoret në përpunimin e regjimit aktiv, industrinë e lehtë, është bërë zero”, – tha Braçe.

PAKETA FISKALE
Paketa e re fiskale e qeverisë parashikon, duke filluar nga viti tjetër, vendosjen e një akcize për gazin e lëngshëm për automjetet në vlerën 13 lekë për litër. Qeveria miratoi paketën e re fiskale, ku përcakton aplikimin e akcizës për gazin e lëngshëm që përdorin makinat në masën 13 lekë për litër. Bëhet fjalë për gazin e lëngshëm që shitet në pikat e karburantit dhe jo për gazin e lëngshëm për konsum familjar. Në relacionin e paketës fiskale, qeveria argumenton se aplikimi i akcizës për gazin e lëngshëm për automjete në nivelin 13 lekë/ litër bëhet me qëllim përafrimin me standardet e BEsë dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt. Deri më sot, gazi i lëngshëm për automjetet është përjashtuar nga akciza, por në të gjitha vendet e Europës ai taksohet si produkt energjetik, pra si nafta dhe benzina. Sipas të dhënave që jepen në paketën fiskale, llogaritet që importi vjetor i këtij produkti të jetë 25 mijë tonë në vit.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb