TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nxjerrë sot tabelën përmbledhëse për Bashkinë e Durrësit dhe të Kamzës, ku është rikonfirmuar fitues Vangjush Dako dhe Xhelal Mziu.

Mësohet se anëtarët e KQZ kanë miratuar tabelën për Durrësin me 7 vota pro. Dako garonte për mandatin e tij të tretë përballë kandidates së djathtë, Grida Duma. Ndërsa Xhelal Mziu, i cili fitoi mandatin e tij të tretë përballë Safet Gjici.

Pas diskutimeve, KQZ ka rrëzuar ankimimin e Partisë Demokratike për Kurbinin, me 4 vota pro dhe 3 kundër. Kjo forcë politike kërkonte të shpalleshin të pavlefshme zgjedhjet në Kurbin. Pjesë e kërkesës së PD për Kurbinin ishte përsëritja e zgjedhjeve për këtë bashki.

Ditën e djeshme, KQZ hodhi poshtë kërkesën për ankimim nga LSI të procesit zgjedhor për bashkinë e Vorës, ku këta të fundit kërkuan pavlefshmërinë e votave.

OSMANI: NËSE THEMI SE NË KURBIN PATI ZGJEDHJE DO MENDOJNË SE JEMI TË DROGUAR OSE TË MARRË
Ora 14:02- Anëtari i Partisë Demokratikë në KQZ-së, Hysen deklaroi se për Kurbin nuk duhet të diskutohet nëse kishte apo jo zgjedhje, pasi aty mungonte kandidati. Ai pohoi se përveçse kishte vetëm një kandidat, aty mungonin dhe procedurat.
“Nëse themi se kemi pasur zgjedhje, banorët e Laçit do thonë se o jemi të çmendur o të droguar. Ne kemi zgjedhur mes një njëri që s’ka qenë dhe një njeriu që është. Defekti më i madh është se njerëzit nuk kanë shkuar në zgjedhje. Ndaj s’kemi procedura se janë zero.”, tha Osmani.

PD ANKIMON PWR ‘KURBININ’: ANËTARJA E KZAZ KISHTE BURRIN KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK
Ora 10:30- Sakaq, në mbledhjen e sotme të radhës po diskutohet ankimimi për Bashkinë e Kurbinit. Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso deklaroi se paligjshmëria për këtë bashki nisi që në momentin kur KQZ shkarkoi 8 anëtar të një KZAZ në Kurbin.

“Paligjshmëria ka nisur në që nga momenti i shkarkimit të 4 komisionarëve, të cilët kanë qenë në detyrë. Ka pas sjellë pengimin e veprimtarive normale. Brenda dy orëve, 8 nga anëtarët e APPD-së për Kurbinin, u shkarkuan nga ana juaj.”, tha Kaso.

Kaso tha se vendimmarrja e Komisionit Zgjedhor e datës 20 qershor për nxjerrjen jashtë loje të komisionerëve të opozitës në KZAZ nr. 15 ndikoi tek procesi zgjedhor duke i hapur rrugën një procesi të pabalancuar, jotransparent dhe joligjor.

“Me vendimin e saj të datës 20 qershor KQZ i hapi rrugën një procesi joligjor, i cili nuk mund të sillte një rezultat të besueshëm e të rregullt. Anëtarët e opozitës të shkarkuar nga ju prishën balancat në KZAZ-në nr.15 duke çuar në deformimin e rëndë të procesit. Manipulimi i tij filloi nga tavolina e KQZ-së””, iu drejtua juristi Kaso anëtarëve të KQZ-së.

Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti tha se një shkelje flagrante në këtë zonë ishte fakti se një prej anëtareve të KZAZ-së, e cila funksionoi me katër anëtarë, kishte burrin kandidat për këshillin bashkiak. Kjo sipas Kodit Zgjedhor është e palejueshme dhe duhej që komisionerja të jepte dorëheqjen.

“Shkelja e ligjit në ditën e votimit është që grupi prej 4 komisionerësh të KZAZ 15, i cili emëroi komisionerët e qendrave të votimit, vendimi i tyre është zero. Në përbërje të tyre është një komisionere, Majlinda Cara, e cila është në mënyrë të jashtëligjshme komisionere sepse ka burrin kandidat për këshillin bashkiak. Vendimet e tyre janë të jashtëligjshme, sepse nga katër mbeten tre komisionerë. Kjo është shkelje e ligjit”, tha Kosovrasti.

Ndërsa Ivi Kaso theksoi se “persona të paautorizuar kanë marrë në dorëzim materialet zgjedhore për qendrat e votimit, pa procesverbalet përkatëse. Në të gjitha qendrat e votimit është administruar procesi i votimit nga persona të paautorizuar, të panjohur dhe të paligjshëm. Ne nuk e dimë nëse këta persona janë të dënuar apo jo, nuk e dimë nëse janë të trajnuar apo jo. Subjektit tonë i është ndaluar të ketë edhe vëzhgues në qendrat e votimit”.

PD kishte regjistruar fillimisht Altin Bibën si kandidat për kryetar në Kurbin, por dy javë më pas ai dha dorëheqjen. Në këto kushte PD propozoi Ilir Pjetrajn, vëllai i deputetit Mhill Fufi, por kjo nuk u pranua as nga KQZ-ja dhe as nga Kolegji Zgjedhor. Në këto kushte demokratët vendosën të bojkotojnë zgjedhjet si për kryetar të Bashkisë së Kurbinit, ashtu edhe për Këshillin Bashkia.

(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: