NGA: ENIDA HIMAJ*TIRANE- 17-vjeçarja me origjinë nga Fushë-Kruja është shpallur fundjavën e shkuar “Miss Shqipëria”. Sara Karaj, jeton në Londër dhe veç faktit se gjatë gjithë jetës është komplimentuar për pamjen e bukur që ka, nuk ka pasur kurrë lidhje me modelingun. Megjithatë na rrëfen se kurora dhe të qenit një personazh televiziv nuk është ambicia e saj.

Edhe pse në një moshë ende të vogël, bukuroshja rrëfen se kurora do t’i shërbejë për ta lidhur edhe më shumë me Shqipërinë, sesa si një trampolinë për botën e ekranit. Për studenten e Menaxhim Biznesit e pozuara nudo është shumë larg planeve që ka. E duke qenë se ka zgjedhur një degë që lidhet me paratë, na rrëfen se ka plot mënyra të tjera për të fituar shuma të majme.

Shpalleni “Miss Shqipëria”; kush është Sara Karaj?
Kam lindur në Fushë-Krujë dhe jam rritur në Londër. Jetoj në Londër me prindërit dhe dy motrat e mia prej 17 vjetësh. Studioj në universitet për Menaxhim Biznes. Pasionet e mia lidhen herët me modelingun dhe mendoj se më kanë bërë mua të jem një person kërkues ndaj vetes dhe atyre me të cilët punoj. Për mua puna është një vlerë të cilën duhet të mos e anashkalosh. Jam rritur në një familje ku dashuria dhe komunikimi nuk reshtin kurrë. Jam shumë e lidhur me familjen time e në mënyrë të veçantë me motrat e mia. Korrektësia, vetëbesimi, karakteri i fortë dhe dëshira për të qenë e vëmendshme ndaj atyre që janë më të dobët, janë elementë të cilët do të më përshkruanin me pak fjalë.

Si u ndjetë kur u përmend emri juaj, a e prisnit?
Kur u përmend emri im si fituese, pothuajse ngriva. Po të keni qenë të vëmendshëm, është e dukshme në ekran që kam mbetur pa fjalë dhe në pamundësi për të reaguar qoftë edhe duke qarë. Kjo jo sepse e prisja që do të kurorëzohesha si “Miss Shqipëria 2015”, por sepse pata emocion të fortë që duket u reflektua në këtë mënyrë.

A ishte një garë e fortë, si ishin vajzat e këtij viti?
Unë e kam ndjekur “Miss Shqipërinë” prej vitesh dhe kam dashur të bëhem pjesë e kësaj eksperience të jashtëzakonshme. Këtë vit m’u dha mundësia të jem në garë me vajza të mrekullueshme të cilat ishin të bukura e shumë të mira. Ishte konkurrencë e fortë. “Miss Shqipëria” më ka shërbyer për të ndërtuar miqësi të reja, të cilat jam e sigurt që do të jetojnë gjatë.

Ishin konkurrentet e tjera xheloze, a keni ndjerë bërryla përgjatë rrugëtimit?
Xheloze??? Nuk mendoj se në një konkurs bukurie mungojnë këto që thoni ju, por unë nuk i kam ndjerë sepse pata një komunikim të bukur me të gjitha konkurrentet. Mësova prej tyre nga vinin, me se merreshin në jetën jashtë grumbullimit në “Miss Shqipëria”. Mendoj se kjo ka pasur të bëjë edhe me mënyrën e organizimit; ne ishim të gjitha të vlerësuara njësoj. Asnjëra nga ne nuk ishte e trajtuar në mënyrë të veçantë apo e parë ndryshe. Ne ishim bashkë në udhëtime, të gjitha bashkë në provat e kostumeve, të gjitha bashkë argëtoheshim. Nuk di të ketë pasur bërryla apo ku di unë. Për mua ishte një eksperiencë e papërsëritshme.

A duhet të vijë një “miss” nga bota e modelingut?
Bota e modelingut është shumë palëshe, sipas meje. Ka modele që janë në pasarelë, ka modele që pozojnë
për fotografi, ka modele që i bëjnë të dyja.
Nëse të jepet mundësia ta provosh, nuk duhet të ngurrosh, por nëse je pjesë e botës së vërtetë të modelingut, nuk duhet lënë pa u provuar eksperienca e “Miss Shqipërisë”, them unë. Është një garë ku çdo vajzë e bukur provon veten; jo vetëm për pamjen e saj, por edhe për formimin, korrektësinë, këmbënguljen, vendosmërinë për t’i çuar gjërat deri në fund. Modeligu dhe eventi i “Miss Shqipëria”, sipas informacioneve që kam, në Shqipëri, janë pranë, sepse shumë nga vajzat që kanë marrë pjesë në “Miss” janë bërë modele e vazhdojnë të jenë pjesë e kësaj bote. Pse jo, ato që janë modele të mos provojnë shijen e garës në një kompeticion “Miss”-i! Pastaj vendimin e marrin gjithnjë komisionet në konsultim me organizatorët, të pranohen apo jo vajzat modele në “Miss”.

Kur jeni bërë pjesë e kësaj bote, si nisi pasioni për të bukurën?

Unë jam rritur mes së bukurës. Gjithë jetën time më ka shoqëruar fjala e ëmbël dhe komplimentet e të afërmve dhe miqve për pamjen time. Dhe, të them të vërtetën, nuk di se ku është fillimi. Gjithnjë më ka pëlqyer të jem protagoniste dhe e angazhuar, gjë të cilën prindërit e mi nuk ma kanë penguar, madje ma kanë stimuluar. Në fund të fundit, angazhimi është diçka e mirë sesa koha e kaluar bosh. Nuk di të them ekzaktësisht kur ka nisur lidhja me pasarelën dhe fotografinë me modelen dhe dëshirën për të marrë pjesë në “Miss Shqipëria”, por mendoj se ka qenë brenda meje gjithnjë.

Për çfarë do t’ju shërbejë kurora?
Kurora është një vlerë që i shtohet asaj çfarë unë kam bërë e jam deri më sot! Nuk e shoh kurorën si “një shërbim”, por si një vlerësim dhe eksperiencë që do të më shoqërojë gjithë jetën, që do të më lidhë më fort me Shqipërinë time.

A synoni botën e televizionit?

Bota e televizionit më pëlqen, por nuk them se jam e fiksuar me të apo që synoj botën e televizionit. Nëse do të më vinte një ftesë, sigurisht që do ta mendoja dhe pasi të konsultohesha, pa diskutim që do të merrja vendimin e duhur.

Çfarë do të donit të bënit në televizion?
Unë studioj Menaxhim Biznes dhe televizioni është një hapësirë ku unë mund të angazhohem si e punësuar; jo vetëm si imazh, por edhe në profesionin tim. Sigurisht që kjo i përket së ardhmes dhe nuk do të doja të anashkaloja asnjë ofertë, e cila mund të më vërë përballë sfidën e prezantimit. Megjithëse kam herë-herë pasiguri me shqipen. Por, duke njohur mirë veten, unë e di që kur marr përgjegjësi i shpie ato deri në fund. Vitet e fundit, vajzat që kanë fituar kompeticionet e bukurisë e kanë pasur të vështirë të çajnë në botën e televizionit.

Çfarë do të bëni ndryshe ju që të mbijetoni në këtë botë?
Unë di se vajzat që kanë fituar “Miss Shqipërinë” e kanë pasur gjithnjë një mundësi për t’u përfshirë në eventet e tjera që zhvillon “Deliart”, madje di se ka disa prej tyre që kanë drejtuar festivalin e Videoklipit Shqiptar. Mendoj se kjo do të ishte një eksperiencë e bukur, së cilës nuk do t’i thosha jo. Mendoj se nuk jam kaq e fiksuar për t’u bërë pjesë e botës së televizionit që të më duhet të bëj diçka ndryshe e të mbijetoj. Unë besoj te fati dhe te njerëzit që dinë të më besojnë për atë çfarë vlej. Kjo më bën të ndihem mirë, të ndihem Sara që nuk do të dilte nga vetja!

Si i shikoni modelet që vendosin të zhvishen për të rënë në sy në media?
Kjo është një zgjedhje personale e çdo modeleje apo individi. Nuk paragjykoj askënd që zgjedh të zhvishet apo që zbaton me rigorozitet format e menaxhimit që ka zgjedhur.

A do të pozonit nudo për një shumë të majme?
Unë studioj për Menaxhim Biznes dhe sigurisht që shumat e majme mund të fitohen edhe pa u zhveshur. Por nuk gjykoj askënd që vendos t’i fitojë shumat e majme duke dalë nudo.

Një femër e bukur; a keni dikë në krah?
Nuk kam dikë në krah nëse e keni fjalën për të dashurin. Kam në krah familjen time, e cila më mbështet në çdo çast për çdo dëshirë e pasion që kam.

Si është mashkulli ideal në sytë e tu?
Mashkulli ideal? Do të më pëlqente që të ishte i drejtë, i kujdesshëm, i shkolluar, mendjehapur, të më kuptonte e të komunikonte me mua. Ndoshta kjo vjen sepse në sytë e mi figura mashkullore është ideali i marrëdhënies që kanë prindërit e mi. Nuk besoj se do të doja që të ishte ndryshe nga ajo çfarë kam jetuar në mes marrëdhënies së mrekullueshme që kanë prindërit e mi.

Kë shikoni si partnerin ideal nga meshkujt e showbiz-it shqiptar?
Unë jetoj prej 17 vitesh në Londër dhe, të them të drejtën, nuk kam një informacion të saktë për meshkujt e showbiz-it shqiptar.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: