TIRANE- Doktor Polikron Çela ishte një figurë e rëndësishme e mjekësisë shqiptare. Ai u nda nga jeta me 11 Mars në moshën 86-vjeçare. Ishte një nga pediatrët më të njohur dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë fushë, të cilin e kujtojnë me respekt breza të tërë shqiptarësh pasi i kushtoi jetën shëndetit të fëmijëve. Vëllai i tij, gazetari Mitro Çela ishte sot në studion e “Rudina” në Tv Klan ku ndau me të gjithë kujtimet e tij me Polikronin.

“Rreth dy muaj e gjysmë më parë në klinikën ku ai punonte i kishin thënë vëllait tim se dyshonin për një kancer. Një ditë pasdite Polikroni më thotë: Mitro unë jam me kancer, por do të të lutem për një gjë. Mos më çoni në spital, çfarëdo që të ndodhë mos më çoni në spital. Sa kam kujtesë nuk do e lejoj këtë, por nëse humbas kujtesën mos më dërgoni. Unë i thash: Po nëse unë do të isha sëmurë, çfarë do të bëje me mua? Njëlloj do veproja më tha. Ai i kishte menduar të gjitha. Një javë përpara se të ndërronte jetë ai pakësoi ushqimin, pinte ujë me limon. Pastaj na kërkoi t’i merrnim morfinë sepse nuk po duronte dot dhimbjet. Polikroni ka shkuar në punë 15 ditë para se të ndërronte jetë, ishte shumë i lidhur me punën. Kontakti me fëmijët e shëronte atë”, tha gazetari.


Gjatë emisionit Çela po ashtu rrëfeu se mjekësia ka qenë ëndra e tij që në fëmijëri dhe se doktor Polikroni kishte ‘luftuar’ për të.

“Familja jonë ka qenë shumë e madhe, mamja ime ka bërë 13 kalamaj, 6 fëmijë kanë vdekur. Polikroni i ka jetuar të gjitha. Një ditë në fshat fëmijët morën bomba të cilat plasën, por nuk mundën të jetonin më shumë se një javë dhe ndërruan jetë. Aty mendoj se nisi ëndra për mjekësinë. Polikroni bëri shkollën në fshat dhe ishte i shkëlqyer. Kur mbaroi shkollën i thanë se i ka dalë një bursë për mësues. Iku nga shkolla dhe i tha babait se donte të bëhej doktor. I doli bursa dhe bëri të mesmen për doktor, pasi e mbaroi e morën ushtar dhe më pas u bë doktor në Burrel. Ka patur gjithnjë pengesa por ia doli mbanë”, rrëfeu Çela./tvklan

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb