“Zero tolerancë ndaj dëmtimeve, punimeve e ndërhyrjeve në sistemet ujore, në basene, lumenj e në ekosistem”. Kjo ishte deklarata e Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, gjatë takimit që bashkë me Kryeinspektorin e Inspekektoriatit Qëndror, Shkëlqim Hajdari, zhvilluan me inspektorët e 3 inspektoriateve të MBZHRAU, atij të Ujrave, Peshkimit dhe Inspektorët Veterinar. Në këtë takim ku u shpërndanë kartat e inspektorëve, të cilat janë të njësuara për të gjitha inspektoriatet, u deklarua dhe sistemi online i inspektimeve që do të kryhet nga tani e në vazhdim.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Bujqësisë, Panariti, duke folur për rëndësinë e takimit dhe iniciativën e ndërmarrë, deklaroi se, ka urdhëruar zyrtarisht, masa urgjente për të ndaluar e moslejuar më gërmimet në shtretërit e lumenjëve. “Jemi mbledhur sot këtu, për të nisur një proces të ri, një mënyrë të re dhe një përqasje tjetër në raport me mjedisin, me dëmet që po iu shkaktohen baseneve të lumenjëve, duke vënë çdo moment në rrezik përmbytjet e tokave bujqësore, të banesave, fshatrave etj”, deklaroi ai

Më tej, para inspektorëve, Ministri i Bujqësisë tha se, “do të bëjmë gjithçka për të ruajtur mjedisin”.

“Masat do të jenë rigoroze dhe nuk do të lehohet më asnjë ndërhyrje që cënon ruajtjen e baseneve
ujore. Ne kemi të njëjtën përqasje dhe me kryeinspektorin, me qellim që, të gjitha inspektoriatet të
jenë në punë për mbrojtjen e ekosisitemit. Të shkatërrosh shtratin e një lumi, do të thotë të shkatërrosh tokat bujqësore, të dëmtosh turizmin, pasi në shumë zona ku ka lumenj, ka dhe turizëm të zhvilluar apo në zhvillim”, theksoi Ministri Panariti, sipas të cilit, “nëse ne lejojmë një situatë të tillë, është e kotë që investojmë në mbathjen apo riparimin e digave dhe argjinaturave, pasi lejimi i një situatë të tillë, shkatërron të gjitha investimet tona për parandalimin e përmbytjeve”.

“Ne po nisim një moratorium për mbrojtjen e baseneve urjore dhe shtretërve të lumenjve. Nga sot, do të fillojë një epokë e re për mbrojtjen e ekosistemit dhe lumenjëve tanë. Të gjithë ne, të gjithë ju që do të jeni në terren, zero tolerancë ndaj dëmtimeve, punimeve e ndërhyrjeve në sistemet ujore, në basene e lumenj”, vijoi Ministri Panariti.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: