NGA ERJON SKENDAJ
TIRANE- Qentë endacakë ose siç njihen, qentë e rrugës janë kthyer në makth për qytetarët e Tiranës dhe vizitorët e shumtë. Në këto ditë përvëluese qenë të tillë nuk kanë kursyer së kafshuari as mjekët e urgjencës së QSUT duke i sulmuar këta të fundit në vendin e punës.

Ngjarja më e fundit është regjistruar mëngjesin e sotëm ku viktimë e qenve endacakë ka qenë një mjek i shërbimit të Urologjisë i cili mësohet se është sulmuar nga një kope qensh që i kanë shkaktuar kafshime në pjesën e poshtme të njërës këmbë.

Mjeku i lënduar nuk ka dashur të flasë para kamerave, ndërsa në konfidencë ka treguar momentet e frikës që pasuan sulmin e qenve.

Mjeku thotë se sapo ka parkuar mjetin e tij brenda rrethimit të QSUT, për të vajtur në punë, e ka parë veten mes 6 a më shumë qenve dhe njëri prej tyre i është sulur me egërsi duke i ngulur dhëmbët në pjesën e pulpës së këmbës. Pas kësaj mjeku ia ka dhënë vrapit duke iu shmangur kafshimeve të tjera.
Ndërkohë të pyetur nga “News 24”, shumë nga mjekët dhe infermierët e spitalit më të madh në vend tregojnë sesi në shumë raste janë bërë pre e sulmeve të qenve pa zot që enden në grup brenda QSUT, sidomos netëve kur lënë turnin.

Po kështu burime nga urgjenca e QSUT pohojnë se thuajse çdo javë në urgjencë paraqiten pacientë të kafshuar nga qentë e rrugës.

Vetë kryeqytetasit në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve, duke nisur nga Bashkia e Tiranës, për të sistemuar një herë e mirë qentë e rrugës.

Të intervistuar nga “News 24” të afërm të pacientëve të shtruar thanë se është detyrë e bashkisë që të largojë kafshët pa pronarë nga ambientet publike, për t’i sterilizuar ose eliminuar në mënyre të kontrolluar. Sipas pacientëve, qentë endacakë janë shtuar në masë vitet e fundit, pavarësisht programeve për sterilizimin e tyre. S’është më çudi që kope me qenë, me mbi dhjetë syresh, i sheh duke u endur të pa shqetësuar rrugëve kryesore të Tiranës, ndërsa netëve bëhen zotër të tyre.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb