TIRANË- Shefja e Politikës së Jashtme, Federicia Mogherini në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama ka zgjedhur të flasë shqip për të uruar shqiptarët. “Urime”, është dëgjuar të thotë ajo në shqip, për të vijuar se arritja në këtë ditë është rezultat i reformës në drejtësi dhe vettingut.

“Urime, Jam krenare që sot jam në gjendje të sjell në Tiranë vendimin që Komisioni Europian bëri dje për të dhënë rekomandimin pozitiv për Shqipërinë që Këshilli nisi negociatat për integrimin në BE.

Mogherini nënvizoi se ky është rezultati i një pune kolektive. “Ky ishte rezultati i një pune kolektive, nëse do hidhja sytë pas se si dukej ky vend pak dekada më parë, do them se sa ndryshim kemi bërë të gjithë bashkë”,- u shpreh ajo.

Shefja e diplomacisë europiane po ashtu solli në vëmendje edhe qëndrimin e saj një vit më parë ku në emër të KE-së i kishte përcjell popullit shqiptar mesazhin se KE do të kishte dhënë rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave, kur të nisë zbatimi i reformës në drejtësi dhe posaçërisht Vettingu. “Ju e realizuat atë që kërkuam vettingun, dhe ne përmbushëm atë që thamë”, deklaroi Mogherini.

Shqipëria, theksoi Mogherini, ka përmbushur kushtet që ishin vendosur në raportin e rekomandimeve të fundit të miratuara një vit e gjysmë më parë dhe ajo është e gatshme për të çelur negociatat, duke mbajtur e thelluar reformat që janë ndërmarra. Kjo, sipas saj, është edhe puna që duhet bërë më tej.

Duke vënë theksin te vokacioni europian i popullit shqiptar, Mogherini tha se integrimi i Shqipërisë është edhe në interes të vet BE-së.

“Nuk është vetëm vendosmëri e popullit por edhe në interes të BE-së ta marrë Shqipërinë të hyjë në të, kur ajo të jetë gati dhe shpresoj se ajo të jetë gati shpejt. 5 përparësitë që tashmë i dini mbeten elementët kyç mbi të cilat shqiptarët do të gjykojnë e vlerësojnë kapacitetet e institucioneve dhe baza e punës sonë të përbashkët”, vlerësoi Mogherini.

Po ashtu, ajo njohu dhe vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon. “Më lini të njoh rolin pozitiv që Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë, duke u përqendruar në bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë me fqinjët dhe vendet e tjera në rajon, që është tejet me rëndësi. Në Ballkanin Perëndimor, politika e zgjerimit të BE-së kthehet në ADN e projektit integrues europian, që është pajtimi dhe paqja. Ndaj marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkërendimi e bashkëpunimi në rajon është një element thelbësor i arsyes se pse ne jemi bashkuar në Union. Veçanërisht në këtë rajon, besoj se është me rëndësi. Urime edhe për këtë, sepse besoj se po dëshmoni vendosmëri dhe vullnet të mirë për të përmirësuar marrëdhëniet me partnerët e tjerë në rajon”, nënvizoi Mogherini.

Mogherini kërkoi bashkëpunimin e të gjitha palëve, qeverisë dhe opozitës, për vijimin e punës, duke theksuar se nevojitet një angazhim më i madh i vendit pas çeljes së negociatave.

“Mbaj mend edhe dasitë, edhe përpjekjet apo luftërat, por siguroj se është momenti për të njohur rezultatin e arritur nga të gjithë bashkë në Shqipëri. Momenti për tu angazhuar dhe punuar së bashku, qeveria me opozitën, institucionet e vendit, qytetarët shqiptarë. Nevojiten përpjekje kolektive. Nuk janë vetëm institucionet, por edhe njerëzit. Të gjithë së bashku të vazhdojmë këtë punë që do të jetë edhe më e madhe kur të nisin negociatat. Ky është një proces që lejon një transformim më të madh të vendit”,- apeloi Mogherini.

Pyetjes nëse kjo është një merite e një force të caktuar politikë, Mogherini tha se kjo është merite e të gjithëve që kanë punuar për transformimin e vendit dhe është një përpjekje kombëtare.

“Unë do të takohem gjatë ditë me opozitën dhe mesazhi im do jetë i njëjtë si për qeverinë. Ky nuk është një rezultuar i një partie apo një institucioni, por rezultat i të gjithëve atyre që kanë punuar gjatë dekadës së fundit që kanë transformuar vendin. Nuk ka asnjë mënyrë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që rrugëtimi vendit të BE nga ndonjë vend të jetë përdorur për qëllime politikë. Unë shoh unitet tek njerëzit kur bëhet fjalë për aspirantën e vendit në BE. Do më duhet të them se nëse Shqipëria dha rezultate ne procesi e vettingut ndodhi sepse forcat politike u bënë bashkë. Kërkoj kohë, por unë vij nga një vend ku e kuptojmë kompleksin e forcave politike. Kjo nuk është çështje e partive politike, por është përpjekje kombëtare. Ky është një rekomandim i pakushtëzuar në terma teknike. Më pas i takon Këshillit të marrë vendim. Politika e zgjerimit mbështetet në vlerësimin e mbështetur në meritë dhe vlerësimin teknik që e bëmë dhe rezultati ishte pozitiv.”- tha Mogherini.
(m.a/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: