Një ndër miqtë më të afërm të Dritëro Agollit, Moikom Zeqo ka treguar dje për “Gazeta Shqiptare” dhimbjet e dobësitë e mëdha të tij.

“Në vitin 2004 kam bërë një udhëtim në Moskë dhe Shën Peterburg me Dritëroin, ku kemi takuar djalin e tij me gruan ruse, Arianin.
Takimi i tyre qe i dhimbshëm. I biri kishte pamjen e Dritëroit. E vuante shumë mallin për djalin që kishte. Ai u prek aq shumë kur e pa të birin, sa nuk ishte në gjendje të fliste për rreth gjysmë ore”, kujtoi Moikom Zeqo. Ai rrëfeu se qe një takim i përmallshëm dhe kujtoi se i ngjante shumë.

“Ariani, djali që ishte në Rusi, i ngjante shumë. Ai ishte dhimbja më e madhe e tij, e kishte peng. Ndërsa në Shqipëri, Dritëroi kishte një dobësi të veçantë për mbesën e tij, vajzën e Elonës, Anën. Ajo sot është studente në Paris, por Dritëroi e donte shumë, e kishte pikë të dobët sepse e kishte rritur ai me Sadijen. Sadija, më duhet të them që e ka ndihmuar shumë Agollin, dhe jo vetëm e ka ndihmuar, por nëse ai jetoi kaq gjatë, ishte prej kujdesit të saj”, tha Zeqo.

Më herët, profesori u shpreh se humbja e tij “është një dhimbje e freskët, duket sikur fjalët paralizohen. Si mik i tij i vjetër, si autori i një libri për të, e prita lajmin me dhimbje të madhe. Njerëzit janë vdekatarë, të gjithë do vdesim, por ky lajm pati një lloj parapërgatitje, u fol për gjendjen e rënduar të tij edhe në media, por tani u bë fakt i patjetërsueshëm”.

Duke e vlerësuar si shkrimtar, poet, skenarist e gazetar, Moikom Zeqo kujtoi edhe se jeta e Agollit ndahet në dy kohë: shteti totalitar, përmbysja e kalimi në shoqëri demokratike.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb