I ftuar në “Dritare me Rudinën”, historiani dhe shkrimtari i njohur Moikom Zeqo ka thënë se myslimanët nuk duhet të ishin falur në Sheshin “Skënderbej”. Sipas tij, ata duhet të kishin zgjedhur një shesh tjetër, që nuk ka figura të tilla.

“Besimtarët myslimanë nuk mund të falen para një figure konkrete qoftë edhe Skënderbeu. Sheshi “Skënderbej” nuk mund të përdoret për ceremoni masive fetare. Nuk duhet të përdoret kushtetueshmërisht. Këto rite fetare mund të bëhen në sheshe që nuk kanë një figurë të tillë idhujtare. Çështja e Skënderbeut është një çështje e madhe dhe e ditur. Jam i bindur që të gjithë e duan Skënderbeun. Ai është një figurë që njihet në Kushtetutë. Është një figurë mbarëkombëtare dhe shtetërore. Ky problem teologjik që u krijua mund të shmangej. Duke zgjedhur një shesh tjetër. Çështja e Skënderbeut është një çështje që na bashkon dhe nuk na ndan”, tha Zeqo.

Ai tha se reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të tmerrshme dhe pohoi se shumë njerëz e kanë kërcënuar pas reagimeve që ai ka bërë. Zeqo u shpreh më tej se kjo çështje është manipuluar nga mediet.

“Kjo çështje nuk ka të bëjë me myslimanët e Shqipërisë. Ata kanë merita të jashtëzakonshme. Një mysliman ishte ai që zgjodhi flamurin e Skënderbeut, siç ishte Ismail Qemali, ndërsa një mysliman tjetër shkruajti historinë e tij, siç ishte Naim Frashëri. Në këtë çështje ka një manipulim mediatik.
Këtu ka një alergji të madhe ndaj Skënderbeut. Çështja e Skënderbeut nuk është një çështje e thjeshtë. Kanë 500 vjet që e sulmojnë, e quajnë antihero”, tha Zeqo.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb