NGA MIMOZA KOÇIU
Shtatorin e katërt si Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama ka ardhur me një “gjetje”. Do ketë një monolog çdo të diel në orën 17:00, në profilin e tij në “Facebook”, që e quan një rubrikë të re “Komunikimi i javës” për një çështje a zhvillim të javës që mbyllet.

Një traditë e njohur e presidentëve amerikanë, në mëngjesin e çdo të shtune, e lashtë sa vetë SHBA-të, normale për një shtet me një sistem presidencial. Me Obamën, nga masazh radiofonik, kaloi në videomesazh, në kanalin e dedikuar “Youtube” të Shtëpisë së Bardhë.

Edhe pse traditë e një sistemi tjetër qeverisjeje, kopjimi i këtij modeli (zakonisht nën 5 minuta), nuk paragjykohet, pasi si gjest, nënkupton vullnetin për një komunikim sistematik e transparent me qytetarët.

Por i sjellë në vitin e fundit të mandatit, duket e vështirë ta lexosh si një “merak” të Kryeministrit për qytetarët e vet, sepse edhe sikur të ishte frymëzim genuin, vjen të paktën tre vjet me vonesë. Monologu është pasion i Edi Ramës, që ia njohim edhe më mirë prej tre vjetësh, e risia këtë herë do jetë vetëm minutazhi i shkurtër i tij, sepse Kryeministri dialogun nuk e ka më pjesë të punës së vet, edhe pse është një debatues ekselent në të enjtet parlamentare.

Nuk mbahet mend hera e fundit kur Kryeministri ka dalë në një konferencë për shtyp. Edhe pse ai vetë, ministra, kryetarë bashkie, e të zgjedhur të tij në nivele të tjera të qeverisjes janë vënë jo pak në qendër të debatit publik, Kryeministri e ka shmangur ballafaqimin me gazetarët. E bëri këtë verë, kur prishi në heshtje një traditë që vetë e pat ndërtuar, konferencën për shtyp me mediat përpara nisjes së pushimeve.

Pas kthimit nga pushimet, i zëvendësoi gazetarët me përdoruesit e rrjeteve sociale, në një komunikim virtual, duke përzgjedhur vetë nga pyetjet, (jo aq të shumta si kur e përdori për herë të parë këtë metodë), ato çështje që i konsideroi vetë të rëndësishme.

Temë e monologut të parë të Kryeministrit ishte fitorja e socialistëve në zgjedhjet e parakohshme vendore në Dibër. Befasia jo vetëm e humbëses, Partisë Demokratike, e një pjese të mirë të publikut, por edhe e vetë fituesit për diferencën prej 4200 votash, nuk ishte e lehtë të paraqitej si normale nga ata Kryeministri, që i kërkoi për herë të tretë brenda tre vitesh votën dibranëve, pasi nuk u kishte mbajtur premtimet e mëparshme.

Për pasojë sqarimi i këtij “normaliteti” ishte sfidë më vete, e nisur që të dielën e zgjedhjeve, e theksuar të hënën me një tubim falënderimi (në sallë të mbyllur) në Dibër, me dalje të koordinuara televizive, me një debat me opozitën të enjten në parlament, e për t’u bërë temë jave edhe këtë të diel, me të njëjtat argumente të përsëritura në çdo ditë të javës.

I vështirë ky rol, sepse më kryesorja, në asnjë rast gjatë gjithë javës, Kryeministri a përfaqësuesit e tij, nuk na shpjeguan se meqë demokratët nuk ishin fare të besueshëm, përse vallë qeveria duhej të blinte vota në Dibër, siç u pa me zë e figurë nga kamerat e fshehta të dy emisioneve investigative “Stop” e “Fiks fare”? Përse për kandidatin e qeverisë me programin më të mirë, pamë të bliheshin vota me 20 mijë lekë të vjetra, praktikisht një çmim kafshate?

E nëse Lulzim Basha paska zhgënjyer kaq fort, të djathtë e të majtë me humbjen e Dibrës, a i bie që pritshmëritë e të gjithëve paskan qenë që demokratët të fitonin në Dibër? Përse në asnjë nga analizat që kryqëzojnë Bashën, nuk thuhet se Rama e meritoi fitoren, sepse ka bërë, apo do bëjë për dibranët? Këto pikëpyetje janë arsye të forta që Rama ta bëjë temë të monologut të tij të parë.

Arsye të forta për të shmangur si çështje vdekjen e një nënë shtatzënë në muajin e nëntë dhe foshnjës së saj, pasi sistemi me të cilin mburret qeveria parashikon transport me ambulancë nga spitali në spital të kësaj pacienteje për të bërë analizat identifikuese të gjendjes së saj.

Arsye po aq e fortë për të ricikluar Dibrën është edhe rrëzimi i një avioni të ardhur nga Italia, në një pistë të ndërtuar enkas në Ishëm të Durrësit dhe dëshmia e pilotit të ndaluar Italian se do transportonte drogë. I dyti avion i evidentuar vetëm pasi u rrëzua, e që dëshmon se transporti ajror i drogës funksionon, e për të investohet pa pikë droje, edhe në zemër të debateve për plantacionet e kanabisit nëpër Shqipëri.

Vetë ministri i Brendshëm akuzohet publikisht si personi që dëmtoi hetimin, duke nxjerrë në media element seriozë të dëshmisë së pilotit para prokurorëve. E nuk mungoi këtë të diel edhe shigjetimi i aleatit bashkëqeverisës për transparencë e komunikim për këtë ngjarje e situatë, kur Kryeministri e ministri i Brendshëm thjesht heshtin.

Vetëm zhvillimet e kësaj jave duken më së të mjaftueshme si arsye që Kryeministri të zgjedhë monologun përpara komunikimit me gazetarët, edhe pse monologët me në sfond qytetarët, nuk po ecin si dikur, pasi dukshëm të pranishmit janë mërzitur nga cilësia e kohëzgjatja e tyre.

Nisja e monologut të së dielës së parë komunikative me analizën e opozitës, tregon jo vetëm nevojën për ta zhvendosur vëmendjen tek PD-ja, por edhe komoditetin me një opozitë që ka ngecur tek debatet në parlament, e denoncimet nga foltorja e PD-së, që po e lë rehat Kryeministrin të bëjë fshehtas koncesionet më të dyshimta me pasuritë publike, e të marrë vendimet më të dëmshme për qytetarët e vet.

Të jetë vallë papërgjegjshmëri politike, moskuptim i funksionit, e i detyrimeve që mbart detyra e kryeministrit? Gjasat janë që jo, sepse Kryeministri i ka tejkaluar këto arsye që mund të ishin deri diku justifikuese në fillim të mandatit të tij.

E testoi mungesën e reagimit publik me akuzat për abuzime në këto tre vjet! Në vitin e fundit të mandatit, me Dibrën e kuptoi se sa “lehtë” bindet një popull i varfër, edhe kur i kërkon votën për herë të tretë, për të njëjtat premtime të pa mbajtura. Në parlament testoi po me sukses edhe 71 deputetët, numrin vendimmarrës që u tentua të mblidhej kundër tij. “I bindi”, thuhet edhe deputetë të Ilir Metës, që t’i qëndronin si mburojë.

Për pasojë, përzgjedhja cinike e monologut të javës, duket një tallje me të gjithë. Një tallje me zë e figurë, në mënyrë të paramenduar, duke lexuar një tekst të parapërgatitur, për më tepër të dobët, si në stil, argument e interpretim.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: