Nga: ILIR KALEMAJ*
Rihapja e debatit për hapjen e dosjeve që ka disa ditë që ka pushtuar faqet e medias dhe është kthyer në një lloj debati publik për të disatën herë gjatë këtyre viteve pluralizëm, është sa për t’u përshëndetur, aq edhe për të ardhur keq. Nga njëra anë duhet përshëndetur se jemi pothuajse i vetmi vend i Lindjes që deri tani nuk ka bërë as përpjekjet minimale për të bërë një lloj katharsisi, në mos shpirtëror apo individual, të paktën për hir të interesit publik, por është edhe për të ardhur keq, pasi sa herë është iniciuar si proces, është bërë më tepër për të mbyllur gojë rebele, për të frikësuar apo përjashtuar kundërshtarë dhe është përdorur për qëllime politike, ndërkohë që askujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. E gjithë kjo fasadë retorike, si tashmë shumë e shumë paradokse që prodhon në vazhdimësi klasa politike shqiptare, kam dyshimin se bëhet më tepër për të tërhequr vëmendjen nga probleme më të qenësishme dhe reale që has shoqëria shqiptare sot, sesa si një gjest vullneti i mirë për të pastruar radhët e politikës nga figura të dyshimta dhe me moral të kompromentuar.
I kam ndjekur me vëmendje këto ditë, avokatët dhe kundërshtarët e hapjes së dosjeve, ku pala e parë e sheh si domosdoshmëri dhe detyrë civile, ndërsa të dytët argumentojnë se është një hap fals që jo vetëm nuk ka ndonjë vlerë pas 17 vitesh, pasi do ndjellë vëllavrasje apo nxit konflikte sociale, por për më tepër, aktorët kryesorë ose janë larguar në mënyrë të vullnetshme nga politika, ose nuk janë më në këtë jetë. Një argument tjetër është që shumë nga këta ‘ish-spiunë’ apo informatorë të Sigurimit të Shtetit kanë qenë të detyruar nën presione gjithëfarllojshe të spiunojnë miqtë dhe të afërmit e tyre dhe shpesh rekrutoheshin ndër njerëz me “cene” në biografi. Megjithëse disa nga këto argumentet e grupit të dytë që në këtë mes njëfarësoj kryejnë dhe rolin e “avokatit të djallit” edhe mund të qëndrojnë, gjithsesi nuk mund të vësh re se përpjekjet që fajet individuale t’ia atribuosh një kolektivi sa më të gjerë, aq më tepër, kur askush nuk ka zënë në gojë hapjen e dosjeve në masë, por vetëm në mënyrë selektive, janë përpjekje që deformojnë realitetin dhe shtyjnë drejt pafundësisë zgjidhjen. Më poshtë do sjell në vëmendjen e lexuesit disa raste paralele nga Evropa Lindore për të parë sesi disa nga këto shtete kanë vepruar në raste të ngjashme dhe çfarë ka ngjarë më tej.
Një ndër rastet më ilustrues është ai i çekut disident Jan Kavan, i cili ishte një nga pionierët e shembjes së regjimit komunist në ish-Çekosllovaki si dhe një figurë gjerësisht e nderuar dhe e respektuar në shoqërinë ceke. Pas vitesh disidence të pandërprerë dhe një nga interlokutorët kryesorë të antikomunistëve çekosllovakë me partnerët e tyre evropianë apo amerikanë, si dhe themeluesi i një prej gazetave më prestigjioze në Angli, e cila shërbeu si një zë i fuqishëm në përkrahje të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, Kavan ishte natyralisht ndër të parët që morën pjesë në revoltën e përgjithshme popullore që i dha fund diktaturës në 1989-ën dhe i hapi rrugën vendosjes së pluralizmit politik. I zgjedhur deputet që në legjislaturën e parë si pjesë e Forumit Civil dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Havelit, Klausit dhe disidentëve të tjerë çekë që krijuan këtë forum si forcën e parë politike, Kavani kishte gjithë legjitimitetin e një lideri të paepur antikomunist dhe luftëtari për demokraci që fatkeqësisht u mungon shumë prej lidërve tanë të sotëm. Për më tepër, kur u ndërmor iniciativa për hapjen e dosjeve për parlamentarët e Parlamentit të parë çek pas ardhjes së demokracisë, Kavani ishte një nga të parët që firmosën pro krijimit të një komisioni për verifikimin e këtyre figurave të larta të politikës çeke. Dhe kur pikërisht ky komision i sapokrijuar zbuloi se Kavani së bashku me rreth 14 deputetë të tjerë figuronin si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit çek dhe këta u lajmëruan se ishte mirë të jepnin dorëheqje nga funksionet e tyre publike ose në të kundërt emrat e tyre do bëheshin publikë, këta jo vetëm që nuk dhanë dorëheqje, por edhe e apeluan vendimin e komisionit.
Për të mos u zgjatur më tej, emrat e tyre u bënë publikë, gjykata vendosi që megjithëse Kavani mund të kishte qenë i detyruar të bashkëpunonte (vetëm për një vit) me organet e Sigurimit dhe mund gjithashtu të kishte qenë i pandërgjegjshëm për veprimet që po bënte, pasi në mes kishte qenë një person i tretë, opinioni publik në masë i dënoi këta figura legjendare, sidomos Kavanin, të cilit iu desh të bënte një tërheqje të parakohshme nga jeta publike. Ky rast tregon se në politikë s’ka të mëdhenj apo të vegjël dhe aq më pak, të pazëvendësueshëm.
Ndërsa në rastin e ish-Gjermanisë Lindore, u kërkua dhe u realizua hapja e dosjeve për ish-spiunët jo vetëm për funksionarët e lartë të politikës dhe shtetit, por edhe për qindra e mijëra funksionarë të thjeshtë, të cilët kishin një post të caktuar në administratën e re shtetërore si të vetmen mënyrë për t’u shkëputur nga bataku moral i së kaluarës së errët drejt një shoqërie të re dhe evropiane. Ndërkohë që edhe për dokumentet e Stasit (organi famëkeq i sigurimit gjermano-lindor), po bëhen përpjekje për të bashkuar copat e tyre, pas urdhrit që u dha pas shembjes së Murit të Berlinit për grisjen me dorë të tyre. Kjo, për të bërë të mundur si zbardhjen e plotë të bashkëpunëtorëve dhe shkallës së përgjegjësisë individuale të secilit prej tyre, ashtu dhe konfigurimin e qartë të shkallës së implikimit të shërbimeve sekrete në dialektikën e zhvillimeve shoqërore dhe politike në vend.
Nga ana tjetër, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj gjermanë që jeton edhe sot, Gunther Grass, guxoi të pranonte bashkëpunimin e tij me SS-të në kohën e Gjermanisë naziste. Grassi, megjithëse njihet si një ndër shkrimtarët e “brezit të humbur” që shkruajtën plot dhimbje për tmerret pa fund që solli lufta që inicioi Hitleri me shokë dhe arriti deri sa të marrë çmimin Nobel për letërsi, mund fare mirë ta kishte mbajtur gojën mbyllur dhe t’i kishte ngrysur si hero ditët e fundit të jetës së tij. Në fund të fundit, ai kishte qenë veçse një fëmijë (17 vjeç) kur kishte bashkëpunuar për disa javë me organin famëkeq nazist dhe nuk kishte marrë pjesë në asnjë vrasje apo akt tjetër kriminal. Mbi të gjitha, nuk ishte i rrezikuar drejtpërsëdrejti nga zbulimi i një fakti të tillë. Por qe ndjenja qytetare që ia imponoi një detyrim të tillë përpara opinionit publik dhe lexuesve të tij të shumtë, duke shpresuar në njëfarë mënyre që akti i tij të shërbente dhe si një nxitje për ata njerëz që kishin shumë më pak se ai për të humbur. Këto dy raste gjermane, megjithëse janë anë të ndryshme të njëjtës monedhë, ilustrojnë faktikisht një domosdoshmëri të njëjtë shoqërore dhe vënë theksin te roli që në njërin rast shteti dhe në tjetrin individi mund të luajnë për të nxitur purifikimin e shoqërisë dhe mbijetesën e moralit në të.
Rasti i Rumanisë është akoma më i freskët, ku një komitet me pjesëtarë të shoqërisë civile, u ngrit me iniciativën e Presidentit popullor të vendit, Trajan Basesku. Ky komitet kishte për detyrë hapjen dhe verifikimin e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Çausheskut dhe vënien e tyre para drejtësisë (në mos penale, të paktën morale). Një ndër anëtarët e shquar të këtij komiteti ishte dhe Anton Sorih, një ndër intelektualët më të spikatur në vend. Sorih ishte ndër opozicionistët e parë që udhëhoqën lëvizjet demokratike në vend dhe kryesonte prej mëse 16 vjetësh një nga OJF-të më të fuqishme në vend. Por menjëherë sapo ky komitet u krijua, ndaj tij nisi një gjueti shtrigash, ku fakte të ndryshme komprometonin individë të caktuar brenda tij. Kjo kulmoi me vetë Sorih, i cili disa ditë para se të behej publike në një nga gazetat më të mëdha të vendit, doli dhe pranoi se kishte qenë për vite me radhë informator i Sigurimit të Shtetit dhe kishte spiunuar ndërmjet të tjerëve dhe njerëzit e tij më të afërm. Ky akt apologjetik, për çudi u prit mirë nga opinioni publik vendas, i cili shprehu keqardhje në vend që të denonconte me forcë këtë individ që kishte ngritur një karrierë dhe një profil publik vetëm në saj të denoncimit të pareshtur të krimeve të komunizmit. Pas kësaj, s’do mend që puna e Komitetit tashmë me legjitimitet të cunguar filloi të lëngojë dhe vetëm rikonfirmimi me një plebishit elektoral i Presidentit Basesku që ndodhi disa vite më parë i jep njëfarë shprese këtij procesi.
Këto dy shembuj në njëfarë mënyre tregojnë se sfidat që has shoqëria kur u rikthehet plagëve të së kaluarës janë të shumta dhe pengesat të panumërta, por nëse ekziston një vullnet pozitiv, mund të shpresohet që emancipimi i shoqërisë ta kapërcejë atë të politikës. Në fund të fundit në Rumani, megjithëse politika ia arriti ta rrëzonte Baseskun nëpërmjet një mocioni mosbesimi në Parlament, pasi idetë e tij për hapjen e dosjeve dhe lufta ndaj korrupsionit cenonte një pjesë të mirë të tyre drejtpërsëdrejti, përsëri ai ia doli të rikonfirmohej nëpërmjet një referendumi popullor që e mbështeti atë gjerësisht. Këto raste gjithashtu tregojnë se jo vetëm që në Shqipëri nuk ka për të ndodhur kataklizma në rast se disa figura politike të konsumuara do nxirren në pension të parakohshëm (apo të paskohshëm), por për më tepër do rivitalizohet skena politike, e cila në demokraci nuk ka pse të ketë figura që vegjetojnë me dekada të tëra, aq më tepër kur janë edhe moralisht të konsumuara.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: