NGA FATMIRA NIKOLLI

BUONGIORNO, VI PARLA L’ALBANIA”- Motra Tone e Kolë Idromenos ka marrë tjetër pamje prej asaj që ne njohim: mbi shami mban një palë kufje, dora e majtë që pothuaj prekte buzët tanimë mban mikrofonin, ndërsa kraharori ku në pikturën e Idromenos dukej kryqi, tanimë është i zbuluar, duke lënë të duket në mënyrë krejt të ‘paturpshme’, gjoksin. “Shumëkush është familjar me imazhin e motrës Tone, por me gjasë as Tonia e as Idromeno vetë para 130 viteve e kusur, nuk do e kishin menduar rëndësinë e këtij portreti për artin pamor shqiptar. Portreti i Tones shënon dhe fillesat e një faze të re të artit pamor laik, atë të realizmit”, shënohet pranë “Motrës Tone”, të ripunuar tani nga “Çeta”.

Ndërsa vihet në dukje se “në mënyrë të ngjashme sot, biznesi i Call-Center-ave po shënon një fazë të re në ekonominë shqiptare në sektorin privat, me farkëtimin e një subjekti të ri për t’u shfrytëzuar, studenti punëtor”, dhe shtohet se “me rreth 300 kompani dhe 25.000 të punësuar, ky biznes është shndërruar ndër gjeneruesit më të mëdhenj të vendeve të punës në Shqipëri, kryesisht për të rinj nga 18-35 vjeç”. Çeta (Kolektiv street artistësh shqiptarë) shënon se bashkëmoshatarët e Motrës Tone sot përballen me të vërtetën e hidhur, se dijet e fituara me mund dhe diploma universitare, do të jenë fare të panevojshme me klientët matanë detit, teksa përpiqen t’u shesin në biseda të stërzgjatura në italishten e Pippo Baudo-s apo Cristina D’Avena-s, ushqim për kafshë të ndryshme, sapunë organikë, siguracione makinash, asistenca linjash ajrore, e shumëçka tjetër që ndoshta s’i hyn në punë as dreqit.

“Kapanonë të tërë centralistësh që gëlojnë si koshere bletësh në ndërtesa të reja e moderne në qendër të qytetit, apo skuta ilegale periferish, teksa disa të tjerë ofrojnë seksualitetin e tyre në linja të nxehta telefonike”, thuhet në sqarim të imazhit të ri të shekullit të 21-të të Motrës Tone, duke kujtuar se kushtet specifike të punës që ndikojnë drejtpërdrejt në vështirësimin e dëgjimit dhe pamjes, orë ekstra me apo pa pagesë, vonesa për pagat, presioni për të realizuar normat, pamundësia për të ndërvepruar, pamundësia për t’u organizuar, konkurrenca e ashpër, pagat jo të larta dhe, mbi të gjitha, mungesa e perspektivës, ka prodhuar një tëhuajëzim të skajshëm të një brezi të tërë studentësh e të sapodiplomuarish në përballjen e tyre të parë me tregun e punës.

“Tonet e Call-Center-ave janë zhveshur nga shpresa për një punë e një të ardhme më të mirë, teksa i ka ngërthyer ankthi nga diskutimet e fundit në senatin italian për mbylljen e tyre. Dhe ajo çka mbetet është dilema e përditshme shekspiriane: të papunë apo të skllavëruar në punë? Buongiorno signore, come vi posso aiutare?” – përfundon teksti i imazhit, që vjen si një aksion i mbështetur nga “Tirana Art Lab” dhe është pjesë e ekspozitës “Triple Feature #5 / Çeta & Kotretsos & Xhafa”, në kuadër të projektit “HEROES WE LOVE”, që mund të vizitohet deri më 28 janar 2017, nga e mërkura deri të shtunën, ora 16:00 – 20:00, në “Tirana Art LAB”.

EKSPOZITA
Është inauguruar një edicion i veçantë i serisë “Double Feature #5” të “Tirana Art Lab” në kuadër të projektit “HEROES WE LOVE”, që sipas Romeo Kodrës, është një projekt në bashkëpunim me 8 partnerë europianë, i cili financohet nga programi i Bashkimit Europian për kulturën kontinentale “Creative Europe”, i pari i këtij lloji në Shqipëri.

“Projekti ka në fokus trashëgiminë e artit të periudhës socialiste në vendet e ish-Lindjes, ku ‘Tirana Art Lab’ po zhvillon tematikën e saj mbi ‘ripërpunimin e këtij arti prej artistëve bashkëkohorë”, shton Kodra, ndërsa bën me dije se eventi i quajtur “Triple Feature #5”, për të evidentuar veçantinë e tre pozicionimeve artistike të paraqitura, ndryshe nga “Double Features” e mëparshëm në “Tirana Art Lab”, ishte i përbërë nga Çeta (Kolektiv street artistësh shqiptarë), Georgia Kotretsos (artiste dhe kërkuese greke) dhe Pleurad Xhafa (artist shqiptar). Kodra, sqaron se përzgjedhja e këtyre tre pozicionimeve artistike përputhej më së miri me trajtën që “TAL” propozonte me anë të projektit “Heroes We Love”, ku theksi vendosej mbi “artistët e tranzicionit”, mbi artistët bashkëkohorë që shkonin përtej fetishizmit apo përbuzjes, mbi ata që kultivojnë artin e së shkuarës pa dashur të tranzitojnë sipërfaqësisht mbi tranzicionin e patranzitueshëm shqiptar apo ish-lindor. “Double Feature” është një format serial ekspozitash i “Tirana Art Lab”, për përmbushjen sistematike të qëllimeve të saj, ku i parashtrohen publikut dy perspektiva artistike, shqiptare, rajonale apo ndërkombëtare.

“‘Triple Feature #5’ është një edicion special i formatit serial, ku do të ekspozohen së bashku punët e kolektivit artistik shqiptar Çeta, artistes dhe kërkueses greke Georgia Kotretsos dhe artistit shqiptar Pleurad Xhafa. Është gjithashtu pjesë e projektit të përbashkët ‘HEROES WE LOVE’, i cili përbëhet prej punëve artistike, si dhe dy ndërhyrjeve artistike në hapësira publike të komisionuara nga ‘TAL’, ku për herë të parë edhe do të ekspozohen”, thuhet në materialin shoqërues të ekspozitës. “Triple Feature #5” i dedikohet ndërthurjes midis artit dhe aktivizmit, aktivizmit artistik dhe rolit të gjerë të artistit të angazhuar si qytetar që synon të ndryshojë jo vetëm sistemin e artit, por edhe realitetin ku jeton.

Sipas organizatorëve, kjo ekspozitë ka për qëllim të nxjerrë në pah dhe të ndërlidhë tre qasje estetike të ndryshme: kolektivi artistik Çeta, që përdor me vetëdije materiale pamore artistikopolitike, duke ndërhyrë me aksionet e tyre në çështjet më të rëndësishme politiko-sociale nëpërmjet grafiteve apo ndërhyrjeve të ndryshme në hapësira publike; Giorgia Kotretsos, artiste, kërkuese dhe drejtuese institucioni trupëzon shembullin e artistes bashkëkohore “multifunksionale”, e cila hidhet nga një rol dhe angazhim në tjetrin dhe duke mbajtur në të njëjtën kohë të mirëpërcaktuar kufijtë midis këtyre aktiviteteve; Pleurad Xhafa, një artist i angazhuar dhe hulumtues nëpërmjet praktikave konceptuale, personalisht dhe fizikisht i përfshirë me kushtet dhe situatat shoqërore, të cilat sintetizohen në punë që synojnë impaktin në realitetin social dhe artistik njëkohësisht. Pavarësisht mënyrës së të punuarit dhe përqasjeve nga perspektiva të ndryshme, të tria këto pozicionime artistike kanë të përbashkët një praktikë artistike të vendosur dhe të drejtpeshuar midis artit, angazhimit social dhe aktivizmit. Megjithatë, në këtë ekspozitë, “TAL” kërkon gjithashtu të evidentojë rëndësinë e punëve të ekspozuara, jo vetëm për nga aspekti etik dhe impakti social, por edhe nga funksioni i tyre autonom si pjesë e një sistemi estetik.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: