NGA FATMIRA NIKOLLI

Zbulohet për publikun Mozaiku i Meandrit me kryq të thyer (svastika), një monument kulture i Kategorisë së Parë që gjenden poshtë një pallati në Durrës. Me një datim të dokumentuar deri në tre shekuj para Krishtit, rrënojat e kësaj banese të Dyrrachiumit antik janë zbuluar gjatë gërmimeve të emergjencës në vitet 2005-2006, dhe fazat e ndërtimit janë disa. Ledion Lako, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Durrës tha dje për “GSH” se në vitin 2005 është bërë gërmim shpëtimi i hapësirës ku u ngrit pallati. Sipas tij, gjatë gërmimit janë zbuluar rrënoja të shtresëzimeve të ndryshme arkeologjike, ku u zbulua edhe Mozaiku i Meandrit me kryq të thyer, ose simboli i diellit svastika.

“Nga viti 2005 deri ne vitin 2014 rrënojat nuk ishin shpallur Monument Kulture dhe ishin të mbushura plot me plehra dhe mbeturina të përziera me ujëra të zeza që rridhnin nga tubacionet e çara të pallatit. Niveli i ujërave të zeza e kalonte 1 metër dhe ishte kthyer në një vend epidemie dhe i rrezikshëm për qytetarët që banonin përreth”. Lako shtoi se DRKK-Durrës në bashkëpunim me IMK e shpalli Monument Kulture në vitin 2015 dhe menjëherë nis puna për përgatitjen e projektit nga specialistet e DRKK-Durrës, i cili parashikonte sistemimin e tubacioneve të ujërave të zeza, tharjen e ujërave dhe heqjen e plehrave e mbeturinave, bllokimin me mur të hapësirave të hapura nga hidheshin plehrat, lyerjen dhe ndriçimin e, gjithashtu, portën hyrëse dhe tabelën informuese.

“Restauratorët pastruan dhe zbuluan mozaikun dhe rrënojat. Durrësit me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë i shtohet dhe një destinacion i ri arkeologjik. Tabela informuese pranë mozaikut thotë se plani i përgjithshëm i mbetjeve, i përbërë nga 12 ambi-ente të përmasave të ndryshme lidhet me disa ndërhyrje konstruktive realizuar nga tri periudha suksesive kohore.

“Periudhës së parë të ndërtimit i përkasin pesë ambiente ndërtuar në blloqe gurësh të madhësive të ndryshme të lidhura me argjile. Teknika e ndërtimit dhe material arkeologjik që bashkëshoqëron këtë ndërtim kanë përcaktuar periudhën midis shek.IVIII para Krishtit, si në kohën e instalimit të kësaj strukture. Kësaj periudhe të funksionimit të kësaj banese i përket gjetja e një numri kallëpesh për prodhimin e figurinave prej argjileje”. Po në tabelë sqarohet edhe se në periudhën e dytë banesa pëson disa ndërhyrje.

“Dëshmohet nga zmadhimi i planimetrisë në ambiente të shtuara si ndërtimi i një kanali higjeno-sanitar në anën veri-lindore. Ambientet e kësaj periudhe rezultojnë të jenë punuar në afreske murale dekoruar me motive floreale. Njëri prej ambjenteve gjithashtu pajiset me mozaik, punuar me një emblemë me meandër, svatika dhe kuadrate në qendër të secilit. Kjo periudhë vendoset kronologjikisht në harkun kohor, nga shek.II para Krishtit deri në mesin e shek.II pas Krishtit, kur dëshmohen gjurmë të shkatërrimit të banesës”, kanë shënuar specialistët në tabelën informuese për publikun. Sipas tyre, periudha e tretë e modifikimit dhe përdorimit të banesës prezanton shtimin e disa strukturave në anën perëndimore, ndërtimin e pusit dhe kanalit të ndodhur në ekstremin lindor të banesës.

“Modifikimet e fundit të kësaj banese, instalohen në shekullin II pas Krishtit dhe vazhdojnë funksionin ndoshta deri në vitin 459 pas Krishtit kur dokumentohen gjurmët e shkatërrimit përfundimtar. Me shumë gjasa të lidhura me pushtimit e qytetit nga ostrogotët në këtë moment historik”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb