Skënderbeu mposhti mbrëmë në “Elbasan Arena” Dinamon e Kievit për ‘Europa League’ me rezultatin 3-2, por pavarësisht kësaj mori edhe lajmin e hidhur se aventura e tyre në kompeticionin europian do të mbyllet në fazën e grupeve.

Gjithsesi ekipi shqiptar ka fituar shumë nga kjo pjesëmarrje në kupat e Europës. Përveç rreth 4 mln eurove të akorduara nga UEFA që nga ndeshja e parë në fazën paraeliminatore, një lajm tjetër i madh vjen nga organi më i madh drejtues i futbollit në Europë sa i takon renditjes së klubit.

Korçarët janë aktualisht të pozicionuar në vendin e 136 nga 442 skuadra, duke lënë pas emra si Rosenborg, apo Cervena Zvezda, AEK, Panathinaikos e të tjerë emra të rëndësishëm të futbollit europian.
Skënderbeu vlerësohet me një koefiçient prej 8.500, ndërkohë që në fillim të këtij sezoni renditej në vendin e 204. Për të gjetur një tjetër shqiptare në këtë renditje, duhet zbritur në vendin e 211, ku ndodhet Kukësi, që pasohet nga Partizani në vendin e 330.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb