Shkëlqim Muça e cilëson derbin e fundit si më emocionuesin, por vetëm në 63 minutat e para. Ish-trajneri i Tiranës, aktualisht shef i klubit të shumësportëshit, gjatë një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, analizon me detaje ndeshjen mes Tiranës dhe Partizanit. Sipas tij, 27 minutat e mbetura nuk kishin nerv, ndërsa barazimin e quan si rezultatin më të drejtë. Për “terrin”, fajin ia vendos FSHF-së, që sipas tij duhet ta vendosë si kriter gjeneratorin. Ai flet edhe për kampionatin në tërësi, ndërsa sheh Kukësin si më të uritur për titull, ndërsa për Tiranën mendon se i duhet edhe një vit kohë për të synuar kampionatin.

Profesor, si e patë derbin e fundit që u nda në dy pjesë?
Ishte emocionues. I kishte të gjithë elementët që kërkon një derbi. Kishte dekorin, tifozërinë, agresivitetin në fushë, lojë me shpirt gare. I munguan vetëm golat.

“Golin” e bënë dritat…
(Qesh) Këtë duhet ta ketë parasysh federata. Unë mbaj mend edhe ndeshjet e Kupës UEFA, na kërkonin gjithnjë që në formularin që plotësonim të saktësonim se kishte linjë alternativë. Nëse e plotësoje këtë kriter dhe më pas nuk e kishe, atëherë humbisje ndeshjen. Nëse prishet një linjë, duhet të jetë gati tjetra, gjithashtu është i domosdoshëm edhe gjeneratori. Delegati i ndeshjes duhet ta kishte kërkuar. Rregullat janë të përcaktuara. Kjo që ndodhi duhet të bëhet mësim për ndeshjet e tjera. FSHF-ja duhet ta vendosë si kriter këtë për klubet që kanë impiante me ndriçim.

Po Tirana a ka faj në këtë mes?
Tirana nuk ka faj, derisa ka marrë aprovimin që ndeshja të luhej. Që të ketë mbarëvajtje më të mirë dhe mos prishen këto takime kaq të bukura, duhet të merren masat përpara. Por ne shqiptarët reagojmë me vonesë. Kjo ka ndodhur disa herë, rasti i Realit. Atëherë u shkarkua drejtori i stadiumit direkt, pasi ishte gjeneratori jashtë pune.

Dekori që krijuan tifozët në terr, çfarë përshtypje ju la?
Ajo ishte pjesa më e bukur e fikjes së dritave. Ajo dha spektaklin në fakt. Por dua të them që në ato 63 minuta ndeshja ishte super, madje mua më ktheu atë shijen e vërtetë të derbit. Asnjëherë nuk ka munguar rivaliteti, por këtë herë doza e emocioneve ishte më e madhe.

Të kalojmë pak në analizën e ndeshjes, si i patë 63 minutat e para dhe 27 të mbeturat?
Derbi i parë kishte bukurinë, ndërsa i dyti ishte vetëm një formalitet për t’u kryer. Në 63 minuta mund të bësh futboll, ndërsa në 27 minuta je më llogaritar në fushë. Trajnerët janë më të rezervuar dhe taktikë. Pastaj, atmosfera ishte ezauruar që të enjten.

Mund të quhet si një stërvitje ajo e së premtes?
As stërvitje s’mund të thuash, pasi zgjat më shumë se aq. Unë po përqendrohem te 63 minutat, ajo dha kënaqësi. Ndërsa pjesa e mbetur ishte lojë taktike dhe nuk pamë shumë vlera. Partizani ishte pak më e avantazhuar. Por, nëse do të japim një gjykim për krejt 90-minutëshin, barazimi ishte rezultati më i drejtë.

Ku bënë mirë skuadrat dhe ku gabuan në këtë ndeshje?
Nuk mund të them që gabuan, ishin vendosur shumë mirë në fushë. Të dyja ekipet ishin të orientuara mjaft mirë në të dyja fazat e lojës, si në mbrojtje dhe në sulm. Janë dy trajnerë me shumë përvojë dhe pati mjaft grintë. Loja ishte e hapur dhe e barabartë. Secila mund të shënonte. Tirana ishte pak më kërkuese në fillim, pasi ishte edhe më e shpejtë në veprimet sulmuese, e rrezikoi pak më shumë Partizanin. Sakaq, të kuqtë ishin më të kujdesshëm dhe ekuilibruar.

Si e patë duelin midis dy kolegëve tuaj, Josa dhe Starova?
Janë trajnerë me eksperiencë të gjatë, dinë ta orientojnë skuadrën dhe të përballojnë presionin e derbit. Ishin të qetë dhe të saktë në vendosjen e formacionet dhe në detyrat që u kishin dhënë skuadrave. Kjo dukej në fushë, pasi skuadrat ishin precize.

Kush u penalizua nga ndërprerja e derbit?
Nuk mund të thuhet, pasi nëse do të vijonte loja, mund të merrte një rrjedhë të paparashikueshëm. Në një derbi ndodh gjithçka. Ajo skuadër që mund të ketë përparësi në lojë, edhe mund të ndëshkohet. Gjithsesi, ishte një moment jo i këndshëm, do të kishte qenë më mirë të vazhdonte ndeshja dhe ta kishim shijuar deri në fund.

U bënë 11 derbe që Tirana nuk fiton, si ish-bardheblu çfarë mendoni se po ndodh?
Është çështje momenti dhe ndoshta Partizani ka pasur më shumë fat. Të kuqtë kanë qenë më të kujdesshëm dhe ekuilibruar në këto derbe. Është futur me mendimin që të mos humbasin, ndërsa Tirana për ta fituar.

Ndoshta kjo e ka penalizuar?
Jo. Thjesht nuk ka qenë më e kujdesshme mbrapa. Dhe këtu fus edhe ndeshjen kur kam qenë unë trajner. Ne ishim pak më të pakujdesshëm dhe jemi goditur vetëm në një moment për faj të portierit. Por, pastaj ky është derbi.

Mos u bënë pak si shumë dhe si ka mundësi që nuk ka gola?
Janë barazuar 7 gjatë kësaj kohe. Dhe barazimet tregojnë ekuilibër, ndërsa fitoret tregojnë se kanë qenë në një moment më të mirë. Ndoshta mund të jetë krizë psikologjike. Por, edhe këtë nuk mund ta thuash me siguri. Pasi derbi është një lojë që nuk varet nga pikët, renditja apo momenti i mirë që po kalon një ekip. Është dhe çështje fati.

Në total, si e keni parë kampionatin e Tiranës?
E kam thënë që në fillim që Tirana ka bërë shumë ndryshime dhe i duhet kohë që ekipi të ingranohet, ia ka dalë deri diku, por ende nuk është arritur harmonia që duhet. Por, të jep shpresa që do të ngrihet ende lojë.

Tirana ka mposhtur vetëm Skënderbeun nga rivalët direkt, ndërsa me Kukësin dhe Partizanin është ndalur te barazimet me gola…
Janë katër skuadra që do luftojnë deri në fund. Kampionati është i hapur. Ka rivalitet.

E shihni këtë si vitin e duhur për titullin?
Unë mendoj se Josa duhet të lihet i qetë që të punojë dhe të përforcojë disa pika që trajneri e di shumë që i mungojnë. Ende nuk është një ekip që dominon dhe të bind që të jetë kampione, por një skuadër në ngritje. Por s’mund të thuash që është për titull. Jo se ekipet e tjera janë më mirë, por janë më të konsoliduara. Nuk kanë bërë shumë ndryshime, ndërsa te Tirana ka ndodhur e kundërta, ndaj mendoj se ka nevojë edhe për një vit tjetër kohë. Ky sezon do japë kohë për konsolidim, por nuk përjashtohet mundësia që të zërë vendin e parë, të dytë apo të tretë.

Europa me pak fjalë mund të ishte arritje?
Nëse nuk arrihet Europa, do ishte dështim. Por unë besoj se Skënderbeu, Tirana, Partizani e Kukësi do të na përfaqësojnë në Europë. Edhe pse të kuqtë janë eliminuar nga Kupa, ndonjë nga tre ekipet e tjera do ta marrë këtë trofe dhe në fund që të gjitha do i shohim në arenën europiane. Ndërsa mes këtyre të katërtave, nuk mund të përcaktoj se kush merr titullin. Nuk i heq as Tiranës të drejtën që të jetë kampione, pasi sezoni është i gjatë dhe nuk i dihet çfarë rrjedhe mund të marrë.

Çfarë i mungon Tiranës dhe duhet që të riparojë në merkaton e dimrit?
Duhen dubluar disa role, pasi kampionati është i gjatë. Duhen lojtarë të mirë në çdo rol, që të dublojnë njërin-tjetrin dhe të shtojnë rivalin. Kur të ketë mungesa, nuk duhet që të bjerë cilësia e skuadrës. Pra, një ekip ka nevojë për përmirësime gjithnjë dhe trajneri besoj se e di këtë. Në qendër të mbrojtjes duhen zëvendësues. Të dy janë shumë të mirë, por me një karton apo dëmtim, krijohen probleme. Kërçiku po bën shumë mirë, por nuk është mbrojtës i mirëfilltë. Edhe në sulm, duhet një lojtar i mirë.

Çfarë i duhet një ekipi që të dalë kampion?
I duhet që minimumi të ketë 18 lojtarë të gatshëm dhe cilësorë. Josa e di këtë, pasi e ka pasur këtë luks te Skënderbeu. Ai e di si dilet kampion, pasi në Korçë kishte gati 20 futbollistë të një niveli shumë të mirë. Dhe merita e tij ishte se dinte që t’i menaxhonte ata, pasi kishte lojtarë shumë të mirë edhe në stol. Nëse e arrin këtë edhe te Tirana, atëherë mund të vijë edhe titulli. Ndaj klubi duhet të jetë i durueshëm dhe të ketë një plan të qartë. Deri më tani nuk ka qenë, që t’i plotësojë Josës kërkesat që ai ka. Një skuadër nuk bëhet kampione me 6 muaj dhe një vit, por i duhet një projekt minimumi 3-vjeçar për të ringritur një skuadër, me një kontingjent të qartë.

Skënderbeu është plot luhatje, e shihni më të dobët se vitet e fundit?
Ka probleme, megjithatë janë sërish pretendentë. Ekipi mund të ketë një moment të vështirë, por mund të ringrihet, pasi ka një organikë me përvojë, që kanë dalë kampionë disa herë radhazi. Por, ekipin më të etur shoh Kukësin me Partizanin ndoshta.

Partizani pret përgjigjen e Tiranës për të luajtur në “Selman Stërmasi”, mendoni se do ishte mirë që të kuqtë të ktheheshin në kryeqytet?
Kjo duhet të ndodhte që në fillim të sezonit. Duhet të luante Partizani që në start, pasi do ishte në të mirë të Tiranës edhe financiarisht. Do ishte mirë që të kishte një marrëveshje tani, pasi janë dy ekipe të kryeqytetit. Klubet ndikohen nga tifozëritë dhe te Tirana po një herë, e di që kjo ndodh. Unë them “hakmarrja” duhet anashkaluar. Rivaliteti duhet të jetë brenda fushës së blertë, ndërsa në tribuna të ketë atmosferë si në këtë derbi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: