Elseid Hysaj apo Mërgim Mavraj? Xhani De Biazi duhet të marrë sot një vendim pak orë para ndeshjes miqësore me Luksemburgun se cilit prej mbrojtësve do t’i besojë shiritin e kapitenit. Mungesa e Ansi Agollit ka vendosur jo pak në siklet stafin teknik, për më tepër që pak kohë më parë, shiriti i kapitenit u bë çështje në ambientin kuqezi.

E megjithatë, trajneri italian është “mjeshtër” i këtyre situatave dhe, përpara se të komunikojë para skuadrës se kush do të mbajë shiritin, pritet që të flasë vetë me dy lojtarët kandidatë.

“Trajneri nuk do që kjo situatë të kalojë me qejfmbetje. Ua ka bërë të ditur lojtarëve se duhet të respektojnë vendimet e tij. Por, sërish ka vendosur t’i mbajë në ankth”, tregon një burim pranë stafit teknik të kuqezinjve.

Ai që do të mbajë sot shiritin pritet të konfirmohet edhe për ndeshjen eliminatore ndaj Izraelit, që do të zhvillohet më 11 qershor. Agolli është i pezulluar për kartonë dhe te kuqezinjtë janë të bindur se atmosfera nuk mund të prishet për çështjen e kapitenit.

Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë sot, në një kohë që burime të sigurta të gazetës tregojnë se De Biazi e ka ndarë mendjen për Hysajn. Sidoqoftë, në të tilla situata, italiani shpesh është bërë i paparashikueshëm dhe nuk është çudi që kapiten të jetë Mavraj.

Ndeshjet – Hysaj është titullar i padiskutueshëm i Napolit në Serinë A dhe vjen pas një eksperience të mrekullueshme në Champions, ndërsa Mavraj mbylli sezonin te Hamburgu, duke rrezikuar rënien nga Bundesliga gjermane. Në Kombëtare më parë është afruar kosovari, i cili deri më tani numëron 34 ndeshje me fanellën kuqezi.

Ndërsa Hysaj, pasi bëri “stazhin” te Kombëtarja U-21, u bë pjesë e kuqezinjve të mëdhenj vetëm një vit pas Mavrajt. Ka luajtur deri më tani 30 ndeshje dhe asnjëherë nuk e ka diskutuar vendin në krahun e djathtë të mbrojtjes./Panoramasport.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: