NGA DORJANA BEZAT
Rreth 1 mijë ish- përdorues të heroinës e drogave të rënda të cilët trajtohen me metadon rrezikojnë t’i rikthehen varësisë ndaj drogës sepse medikamenti me të cilin trajtohen po mbaron.

Apeli vjen nga një ish-përdorues droge, tashmë aktivist në qendrën “Aksion Plus”, i cili tregon se që prej shtatorit të vitit 2016 qendra nuk është furnizuar me këtë medikament pasi ministria e Shëndetësisë po vonon procedurat e tenderit.

“Gjatë këtyre muajve e kemi siguruar me donacione dhe e kemi blere vetë. Tani jemi në pikë kritike. I bëjmë thirrje të lirohet tenderi, nuk mund të hidhen në rrugë këta njerëz”, tha ish-përdoruesi.

Sipas tij, mungesa e metadonit u shkakton ish-përdoruesve një dëm të madh psikologjik. Ata mund të vetëvriten ose të kalojnë në overdozë.
“Mund të vrasin veten ose të kalojnë në overdozë pasi metadoni është më i fortë se heroina”, tha ai.

Prej javësh qendra “Aksion plus” u ka shpërndarë gjithë pacientëve të saj fletushka ku i paralajmëron se sasia e metadonit po mbaron për shkak të vonimit të procedurave të tenderit nga Ministria e Shëndetësisë dhe që secili prej tyre të angazhohet për të gjetur një rrugëzgjidhje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb