Nga: Monika STAFA

Për mendjendriturit e globit, ky vazhdon të jetë një ritual takimesh i stinës së dimrit. Pikërisht atëherë kur gjindja pas fundvitit ende fle dhe moti i kontinentit nuk është aspak i mirëpritur, mendjet e mëdha që hartojnë strategjitë e politikave të botës zbresin në një qytet të çuditshëm për nga rëndësia e tij.

Mynih, vendosur mu në qendrën gjeografike të kontinentit, grumbulloi në shtëpizat tradicionale të tipit bavarez, këta njerëz mendjemprehtë për të debatuar mbi botën dhe ‘luftërat’ e saj, me gotën e birrës në dorë apo dhe glühwein e ëmbël me aromë kanelle.

Çfarë ndodh aty?
Gjatë viteve të fundit, ky forum elitar i Mendjeve të Mëdha, quajtur ndryshe si Konferenca e Sigurisë, është kthyer pa shumë bujë në një ngjarje që promovon një botë më të madhe dhe më të mirë. Por duhet thënë se alteregoja e saj, Forumi Ekonomik Botëror, mbajtur javë më parë në një ‘bastion’ të fortifikuar të Alpeve të Davosit, tërhoqi më shumë vëmendjen e medias, me skuadrën e saj të yjeve të Hollivudit, të famshmit e Silicon Valley dhe oligarkëve rusë. Problemi është se pavarësisht nga deklaratat e forta që vinin prej Davosit, gazetarët pohojnë se nuk ka asgjë të vërtetë në atë çfarë thuhet atje lart, nga ajo ç’përflitet në realitet.

Konferenca e Mynihut është tipologjizuar ndryshe dhe si “Akademia e Çmimeve për Titanët e Politikave të Sigurisë”, si dhe ambasadori amerikan i NATO-s, dikur e shqiptoi, kjo jo aq për show-n e radhës me të cilën ajo performon sesa për substancën e tij. Studiuesit e politikave ekonomike kanë vërejtur se Davosi gjithsesi mbetet një organizim bashkësie elitare, efektet e të cilit në politikat globale janë jashtëzakonisht të vogla. Nuk është aspak e çuditshme madje të pohojmë shkruajnë ata, se ai nuk është gjë tjetër veçse një teatër i madh. Prej forumit të Davosit, nuk ka asfare procedim ndjekjeje të kërkesave që bëhen aty. Davos dhe Mynih mund të duket me një shikim të parë sikur ndjekin objektiva të ndryshëm. Por edhe pse nuk janë të njëjtë, fokusi i tyre i përbashkët mbetet tek qasja ndaj kërcënimeve globale, ushtarake apo ekonomike qofshin ato. Ndaj për këtë arsye, kjo i ka bërë agjendat e konferencave të tyre thuajse të padallueshme. Megjithatë, në fund të ditës Mynihu, thekson ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen, në një fjalim të tijin pak vite më parë, mbetet një gur i çmuar në kurorën e rrjetit të konferencës ndërkombëtare të sigurisë. Ai është ende i vetmi që garanton se vazhdon të jetë një kryelajm i vërtetë.

Konferenca e Mynihut, megjithatë teksa e ndjek live, mbetet i ngjashëm me Davosin në shumë aspekte, por ajo që e dallon atë duket se është vorbulla e stuhishme e diskutimeve që ndizen aty, ku frika për të ardhmen shpesh është po aq emocionuese sa dhe ato fjalime inspiruese të lëshuara në sallën kryesore të konferencave në hollin e bashkisë së qytetit. Kështu, duke lexuar diçka më shumë për Davosin dhe sa u tha për të, Mynih më ngjan se është kthyer në të vërtetë në destinacionin më të preferuar të atij që e ka vullnetin të mendojë gjatë. Teoritë e mëdha gjeopolitike që lëvizin në atë vend, nuk e kanë dëmtuar aspak përmbajtjen e parashikuar të konferencës. Në një epokë në të cilën, hard power po stimulon më fort soft power, Mynihu dhe kjo konferencë mbetet ende në treg.

Si lindi kjo konferencë?
Përgjatë historisë së kohës së re, ne e dimë se Mynihu shpesh ka shërbyer si një vendqëndrim, ku fuqitë më të mëdha të botës gjenin mënyrat e duhura apo qasjet më inteligjente ndaj aleatëve apo kundërshtarëve të tyre për ndërrimin e politikave, por edhe për t’i kërcënuar madje. Nisur nga kjo, konferenca e Mynihut konsiderohet nga shtypi gjerman si vendi për të dëgjuar politikat më të guximshme të shpallura ndonjëherë, idetë dhe qasjet e reja të testuara, partneritetet e vjetra të rilidhura dhe ato të rejat të sapokrijuara. Sepse ashtu si asnjë forum tjetër global, Mynihu i sotëm lidh liderët dhe mendimtarët evropianë me të ngjashmit e tyre nga e gjithë bota. Themeluar në vitin 1963 nga Ewald-Heinrich von Kleist, një nga oficerët gjermanë të Wehrmachtit, që planifikonin të vrisnin Hitlerin, Mynihu si qytet nisi si një vend shkëmbimi mes politikanëve gjermanë dhe amerikanë dhe zyrtarëve të sigurisë. Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj. Muri i Berlinit nuk kishte më shumë se dy vjet që ish ngritur dhe bota sapo kishte shmangur luftën bërthamore gjatë krizës së raketave kubane. E njohur më pas si Konferenca Ndërkombëtare e Shkencave Ushtarake, ajo u zgjerua shpejt për të qenë forumi më i rëndësishëm i sigurisë gjatë epokës së Luftës së Ftohtë. Përgjatë viteve të mëpastajme, gjeneratat e mendimtarëve strategjikë kontribuuan me diskutimet e tyre, duke filluar nga ata këshilltarë të cilët preferonin të mos shfaqeshin hapur e deri tek ata që patën guximin të dilnin përballë kamerave pa kurrfarë droje.

Vetëm pak kohë pas rënies së Murit të Berlinit, Politika e Sigurisë Ushtarake apo Wehrkunde, siç e quajnë nostalgjikët e kohëve të vjetra, duket se e ka tejkaluar eficencën e saj. Por kur themeluesi i saj dhe Ewald-Heinrich von Kleist-Schmenzin, një botues i njohur gjerman, vendosi ta anulonte atë në vitin 1997, u shkaktua një trazirë. Richard Burt, ish-ambasador i SHBA në Gjermani, pas kësaj i shkroi menjëherë Helmut Kohlit, duke i kërkuar atij të ndërhynte urgjent. Wehrkunde u kthye një vit më vonë. Dyshimet për vazhdimin e realizimit të konferencës u zhdukën pas sulmeve terroriste të vitit 2001 në SHBA dhe luftërat që u pasuan. Që këtej mes ndarjeve të thella që solli lufta në Irak, konferenca dëshmoi mbi rëndësinë e saj të vazhdueshme. Që nga ajo kohë, rrethi i pjesëmarrësve në të është rritur ndjeshëm, duke përfshirë të gjitha figurat udhëheqëse, pothuaj nga e gjithë bota si Azia, Lindja e Mesme e deri në Rusi, armikja më e egër e prej së cilës dhe Wehrkunde u themelua. Pikërisht nga ky vend, Putin ia shtrëngoi dhëmbët disa vite më parë SHBA-së duke akuzuar Uashingtonin për një qëndrim autoritar ndaj zgjerimit të radhëve të NATO-s. Në të vërtetë, që atëherë marrëdhënia e saj me perëndimin u ftoh. Kjo është tabloja për Rusinë në njërën anë, por në Mynih ka edhe vizitorë të tjerë që ishin përgatitur të shfaqnin dhëmbët e tyre këtë vit. Britanikja Theresa May zgjodhi konferencën si vendin për të shqiptuar një fjalim që synonte të siguronte aleatët e saj evropianë se Britania do të vazhdojë të mbetet e lidhur ngushtë me ta për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë edhe pas Brexit.

Temat kryesore të këtij viti përfshinin krizat në një rend ndërkombëtar liberal dhe ndikimi i vitit të parë të presidencës së Donald Trump. Konferenca e Mynihut me temën e sivjetshme “To the Brink – and Back?” mëtonte të kuptonte ndër të tjera këtë momentum të ri të politikës europiane në fushën e sigurisë dhe ndikimin e mundshëm të Brexit në të.

Por, sigurisht ka dhe shumë për të bërë ende. Liderët europianë përtej politikave të mëdha të sigurisë, duhet të shohin se si mund të menaxhojnë më mirë njerëzit që përpiqen të kalojnë kufijtë e tyre, ndërsa përpiqen të përcaktojnë një politikë të përbashkët evropiane të sigurisë. Një strategji gjithëpërfshirëse pas kësaj do të ishte e nevojshme, duke parë një mori kërcënimesh të përbashkëta, siç janë operacionet e ndryshme që influencojnë zgjedhjet kudo e në çdo vend, terrorizmi, radikalizmi si rrymë apo dhe emigracioni i parregullt. Diskutimet aty mes mendjendriturve të botës treguan se si rreziqet janë të ndërlidhura dhe se si ato kanë efekte goditëse duke kërcënuar në vazhdim integritetin e bllokut.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/02/19/munich-red-line-border-turbullirat-qe-vijne-nga-atlantiku/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: