KOSOVË- 17-vjet pas rënies së Murit të Berlinit në Gjermani, një tjetër mur ngrihet në zemër të Europës, duke ndarë përmes qytetin e Republikës së Kosovës. Ura e Ibrit nuk është më simboli i ndarjes së Mitrovicës. Pengesa është zhvendosur pak metra tutje, ku është ndërtuar një mur i lartë dy metra e gjysmë.

Muri prej betoni është vendosur në mes të rrugës që çon për në Zveçan. Ndërtimi i murit është bërë nga drejtuesit e Komunës së Mitrovicës Veriore, në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe me planin për rivitalizimin e urës, të dakorduar në Bruksel.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës janë zotuar se do të veprojnë me forcën e ligjit. Rivitalizimin e urës e ka marrë përsipër Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Edhe pse nuk kanë dhënë sqarime për zhvillimet rreth urës, askund në projektin e tyre nuk përmendet ndërtimi i ndonjë muri.

Kocijançiç: Të verifikohet nëse muri në urën e Ibrit është sipas marrëveshjes
Zëdhënësja e Federica Mogherinit, përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Maja Kocijançiç ka thënë se janë duke u shqyrtuar raportet për këtë mur.

“Marrëveshja për urën e Mitrovicës përbëhet nga rinovimi i vetë urës. Ky rinovim bëhet me fondet e BE-së. Kjo vlen edhe për rrugën ‘Mbreti Petar’. Që të dyja, ura dhe rruga është rënë dakord që të rihapen më 20 janar 2017”, ka thënë Kocijançiç për Lajmi.net.

Sipas saj, BE-ja është në kontakt të ngushtë me palët e interesuara që të sigurojnë një dizajn të kënaqshëm edhe për urën edhe për rrugën, në mënyrë që të gjithë qytetarët të përfitojnë nga kjo.

Në anën tjetër, ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë se ky mur është në kundërshtim me marrëveshjen për hapjen e urës dhe se duhet të hiqet. Sipas Tahirit, për këtë mur janë njoftuar edhe zyrtarët e BE-së.

Mirëpo, kryetari i Mitrovicës veriore, Goran Rakiç ka thënë se muri nuk do të largohet dhe se për ndërtimin e tij janë në dijeni edhe BE-ja edhe Prishtina zyrtare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: