TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas ndërtimit të murit në Mitrovicë që ndan qytetin shqiptar në mes. Basha thotë se ky mur është një akt provokues dhe destabilizues për popullatën e Mitrovicës, marrëdhëniet dhe dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe për paqen në Ballkan.

Basha i bën thirrje qeverisë shqiptarë të thyejë heshtjen dhe të ndërmarrë çdo hap proteste dhe sensibilizimi ndërkombëtar ndaj një akti të tillë.

Partia Demokratike iu bën thirrje institucioneve të Kosovës që në bashkërendim të ngushtë me partnerët euroatlantikë të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm në mënyrë të matur por të vendosur për të kthyer këtë situatë brenda parametrave të ligjit.

DEKLARATA E BASHËS
Partia Demokratike po ndjek me shqetësim aktin e ngritjes së një muri ndarës sipas një linje të pretenduar etnike mes shqiptarëve dhe serbëve në veri të Mitrovicës.

Po bëhen 48 orë nga fillimi i ngritjes së kësaj strukture dhe nga të dhënat e para, muri po ngrihet në thyerje të plote të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe në dhunim të Marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Nga informacionet e deritanishme duket se muri po ndërtohet i mbështetur dhe projektuar nga strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës.

Konsiderojmë se ndërtimi i një strukture të tille është një akt provokues dhe destabilizues për popullatën e Mitrovicës, marrëdhëniet dhe dialogun mes Serbisë dhe Kosovës sikundër edhe ndaj klimës së paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Një akt i tillë shkon në të kundërt të aspiratave të shprehura të vendeve të rajonit dhe përfaqësuesve të tyre për një klimë bashkëpunimi në perspektiven e integrimit europian të Ballkanit.

Partia Demokratike shpreh mbështetjen e plotë ndaj popullit dhe institucioneve te Kosovës.
Partia Demokratike iu bën thirrje institucioneve të Kosovës që në bashkërendim të ngushtë me partnerët euroatlantikë të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm në mënyrë të matur por të vendosur për të kthyer këtë situatë brenda parametrave të ligjit dhe në respekt të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Partia Demokratike i kërkon qeverisë shqiptare të thyejë heshtjen dhe të ndërmarrë çdo hap proteste dhe sensibilizimi ndërkombëtar ndaj një akti të tillë që rrezikon të provokojë klimën e bashkëpunimit dhe paqes në Ballkan.

Ky është rasti për të folur për Kosovën me forcë dhe zë të lartë. Partia Demokratike është në krah të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj.

Partia Demokratike si në çdo kohë edhe sot angazhohet se në të gjitha kontaktet dhe nivelet e përfaqësimit të saj ndërkombëtar, do të denoncojë këtë akt si dhe do të mbështesë hapat institucionale të Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen brenda standardeve ligjore të kësaj situate.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: