“Kam kërkuar që në Preshevë të kemi një zyre monitoruese nga Shqipëria dhe nga Kosova për të qenë në kontakt me situatën në Luginë. Ka biznese që kanë interes të investojnë në Luginën e Preshevës, por Shqipëria dhe Kosova duhet të angazhohen direkt në mënyrë urgjente” deklaroi kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve ne Preshevë, Jonuz Musliu gjatë një interviste për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News24.

“Kur Serbia ndan buxhet prej miliona dollarësh në vit për serbët e Kosovës, ne kemi dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën. Shqipëria me kushtetutë e ka detyrim që të interesohet për shqiptarët kudo që janë ata. Unë mendoj se kjo është mënyra për të shmangur emigrimet masive të të rinjve shqiptare nga Presheva”, deklaroi Musliu për News 24.  Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve me dhjetëra të rinj nga Lugina e Preshevës diplomohen në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, por Serbia nuk është e interesuar që të investoje në Luginën e Preshevës. “Serbia është e interesuar vetëm për territor, që ta marrin edhe atë pjesë në mënyrë të heshtur. Shqiptarët duhet të jenë të interesuar që t’i mbrojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës sepse është vendi ynë”, thekson më tej Z. Musliu për News24.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb