KOSOVE- Kryeministri i vendit, Isa Mustafa pas takimit te presidentja, tha se ka shprehur qëndrimin e tij se kjo situatë duhet të tejkalohet dhe problemet duhet të zgjidhen në Kuvend, përmes pjesëmarrjes së të gjitha subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës.

“Çështja e Asociacionit është që Gjykata Kushtetuese ka dhënë mendimin dhe se asociacioni duhet të themelohet vetëm në suaza të ligjeve të Kosovës dhe është dera e hapur që së bashku me opozitën ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë këtë çështje. Demarkacioni është çështje e argumenteve me të cilin do të punoj një komision ndërkombëtar”, tha Mustafa.

Ai ka thënë se nuk kishin kundërpërgjigje nga lideri i AAK-së, ndërkohë tha se kanë kërkuar që opozita të heqë dorë nga dhuna.

“Kërkuam që të hiqet dorë nga dhuna sepse me dhunë nuk mund të zgjidhen problemet, as me gaz lotsjellës në Kuvend, as me shishe të molotovit dhe me përdorim të mjeteve tjera të dhunshme”, tha kryeministri Mustafa.

I pari i Qeverisë tha se do të vazhdojnë të punojnë si koalicion dhe i bëri ftesë opozitës që të jetë në Kuvend dhe përmes debatit parlamentarë të punojnë për të mirën e vendit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: