PRISHTINË-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kërkoi nga Kuvendi që të votojë projektligjet për EULEX-in, pasi sipas tij një gjë e tillë do të ndikojë në forcimin e drejtësisë në Kosovë.

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit Mustafa, në emër të qeverisë dhe të LDK-së ka shprehur qëndrimet për vazhdimin e mandatit të EULEX-it. “Vazhdimi i mandatit të EULEX do të forcojë shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që qytetarët të ndjehen më të sigurt”, u shpreh Mustafa. Kreu i qeverisë thotë se ligjet për EULEX-in paraqesin një mendim të konsoliduar të gjitha institucioneve të Kosovës.

Më herët, kuvendi miratoi me 80 vota pro, 4 kundër dhe një abstenim, propozimin e grupit parlamentar të LDK-së dhe PDK-së për shmangie nga rregullorja lidhur me shqyrtimin e dy projektligjeve që kanë të bëjnë me vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë. Shefi i grupit të LDK-së, Ismet Beqari tha se shqyrtimi i këtyre dy projektligjeve, duhet të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke iu shmangur afateve procedurale të parapara me rregullore të kuvendit.

“Shqyrtimi i këtyre dy projektligjeve të bëhet me procedurë të përshpejtuar, shmangie nga afatet procedurale të parashikuara me nenin 56, paragrafi 1 dhe neni 57, paragrafi 38 dhe 9 të rregullores së Kuvendit dhe atë si në vijim Shqyrtimi i Projektligjit nr. 05/L-102 për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë dhe Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-103 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa Glauk Konjufca nga VV tha se “jemi kundër kësaj procedure të përshpejtuar të trajtimit të këtyre dy projektligjeve”. Kuvendi miratoi me 67 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime propozim vendimin për caktimin e pagës së auditorit të përgjithshëm, raportin e punës së Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2015, raportin e Agjencisë Kosovare të Pronës për vitin 2015 dhe raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2015./k.press
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: