Kryeministri Isa Mustafa, gjatë një interviste në RTK, ka deklaruar se Rexhep Qosja po bën thirrje që në Kosovë të përsëriten ngjarjet që ndodhën në vitin 1997 në Shqipëri, të cilat atë kohë i kishte përkrahur.

Sipas kryeministrit Mustafa, në Kosovë nuk do të lejohet të realizohen thirrjet e disa pseudo-intelektualëve që në Kosovë të përsëriten ngjarjet e vitit 1997 sipas modelit të “revolucionit të vonuar demokratik”, ku humbën jetën mijëra njerëz.

“Nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë në Kosovë. Në Kosovë mund të bëhet ndryshimi vetëm përmes votës së qytetarëve dhe ai ndryshim do të bëhet në vitin 2018, kur janë zgjedhjet e lira për pushtetin qendror. Qosja atëherë thirrej në revolucionin e vonuar demokratik në Shqipëri dhe Qosja nuk ka dhënë më asnjë përgjegjësi pse ndodhën gjithë ato vdekje, gjithë ato viktima në Shqipëri në atë revolucion dhe kujt i shërbeu ai revolucion i Shqipërisë. Nëse Qosja dhe disa të tjerë tani thonë se pushteti duhet të ndërrohet me dhunë, atëherë ata sigurisht nisen nga ato përvoja të dhunës sepse përvoja të dhunës në vende demokratike nuk ka, as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës as në vendet e Bashkimit Evropian. Ka përvoja vetëm të ndryshimeve të cilat ndodhin me vullnetin e qytetarëve dhe ky vullnet i qytetarëve duket se nuk është vullnet për këto ndryshime në këtë periudhë, por është vullnet që të vazhdohet me realizimin e premtimeve dhe zotimeve tona për këtë vend”, ka thënë Mustafa.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: