Gjergji Muzaka ka dhënë dje një intervistë në lidhje me sfidën që Skënderbeu do të luaj nesër kundër serbëve të Partizanit të Beogradit. 33-vjeçari është shprehur se nuk i druhet kundërshtarëve në këtë përballje, ndërsa për tifozët ka bërë thirrje që të sillen normalisht, pa provokuar incidente.

“Jo vetëm me Partizanin, por çdo ndeshje, nëse hyn në fushë për objektivin e marrjes së tri pikëve në një takim, është e vështirë, si nëse luan me Partizanin, ashtu edhe me Lushnjën që sapo kaluam. Partizani i Beogradit është një ekip i fortë dhe kjo nuk ka dyshim. Ne në takimet e luajtura në Europa Ligë kemi treguar se nuk jemi të trembur përballë çfarëdo kundërshtari që të luajmë.

Edhe ata kanë treguar se kanë pika të forta si ne, por kanë edhe pikat e tyre të dobëta, të cilat do të mundohemi që t’i shfrytëzojmë në maksimum për të marrë rezultatin që e kemi si objektiv. E kemi studiuar mjaft dhe besoj se e kemi potencialin për të kaluar me sukses këtë takim. Nëse jemi grup dhe të përqendruar ia dalim të marrim tri pikët.

Objektivi ynë për këtë sezon është i qartë dhe, mbi të gjitha, është kampionati. Por sigurisht që në Europë duam të lëmë shenjë në histori. Është e domosdoshme që të hyjmë për tri pikë dhe të shkojmë te fitorja. Pasi një fitore është një hap i madh. Për sa u përket tifozëve, pas asaj çka ndodhi me kombëtaren e futbollit mund të them se duhet të kemi mbështetjen e tifozëve vetëm për atë që japim në fushë.

Ne e luajmë takimin në fushë dhe duam të përkrahemi vetëm për fushën e lojës. Duhet të jemi të kujdesshëm për atë çka bëjmë, pasi siç e thotë edhe shprehja ‘duke dashur të heqim vetullat, mos heqim dhe sytë…’. U bëj thirrje të gjithë tifozëve që të jenë sa më të qetë dhe të mbështesin ekipin për objektivin e vetëm marrjen e trepikëshit”, deklaroi Muzaka.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb