Ansambli shqiptar “Saz’Iso”, performoi për herë të parë në një prej emisioneve televizive legjendare britanike “Later with Jools Holland”.

“Ishte një eksperiencë emocionuese të ishim mbrëmjen e kaluar në “Later With Jools Holland”, ku për herë të parë në 25 vjet program u luajt muzikë shqiptare”, shkruhet në rrjetin social Facebook të ansamblit shqiptar.

Ndërsa drejtuesi i emisionit Jools Holland është shprehur “dhe nëse keni imagjinuar ndonjëherë që të dëgjoni muzikë popullore shqiptare, atëherë jeni me fat. Sazi’Iso luan një përzierje hipnotike vaji që do t’ju çojë në një natë të magjishme në Gadishullin Ballkanik. Nëse jeni dakord. Albumi i tyre ka një titull brilant “At Least Wave Your Handkerchief at Me”.

Ansambli “Saz’Iso”, prej 9 instrumentistësh dhe këngëtarësh, i krijuar nga producenti i njohur 70-vjeçari, Joe Boyd, i cili ka bashkëpunuar dikur edhe me Pink Flloyd, është grupi i parë muzikor shqiptar, që do të zhvillojë një turne zyrtar në Britani, që nis sot më 1 nëntor dhe përfundon në 11 nëntor.

Turneu nis nga Kardifi në Uells për të vazhduar në Cambdridge, Bristol, York, Sheffield e deri ne Londër. Për shfaqjen e Londrës në të famshmen, qendrën e shfaqjeve, Barbican janë shitur të gjitha biletat.

BBC solli në muajin shtator edhe një artikull të shoqëruar me video kushtuar muzikës së mrekullueshme të sazeve shqiptare. “Saz’Iso” interpretuan këngë dhe melodi tradicionale nga qytetet e Shqipërisë Jugore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb