NGA MERI KUMBE*
Veprat e vendosura në skenë sikurse “Shekulli im”, “Adagio – Në kujtim të një ëngjëlli për violonçel orkestër harqesh dhe oboe” të Endri Sinës, “Kantata për kongresin e Manastirit për kor solist dhe orkestër” e Fatos Lumanit dhe “Rapsodia shqiptare” dhe kantata “Flas Shqip për kor, solist dhe orkestër” e Gerti Drugës, u interpretuan me nivel të lartë artistik nga orkestra simfonike e TKOB nën drejtimin mjeshtëror të Desar Sulejmanit, dirigjent kori Dritan Lumshi, interpretuan: Dorina Laro – Violonçel, Ilir Gjoka – Oboe, Sofika Kola (soprano), Mira Dauti (soprano), Rudin Sata (tenor).

“Shekulli im” – për kor miks dhe orkestër simfonike (Premierë)
Vepra është mbështetur mbi fjalët e disa prej poezive të njohura të Asdrenit dhe N. Frashërit.
Është konceptuar në formën e sonatës dhe e mbështetur melodikisht dhe harmonikisht mbi mode popullore, të dhëna drejtpërdrejt apo të mbivendosura.
Autori me një gjuhë të qartë dhe të thjeshtë kompozicionale përpiqet të pasqyrojë muzikalisht përpjekjet, përballjet dhe ulje-ngritjet e shtetit shqiptar gjatë këtij shekulli që lamë pas. Situatat dramatike, energjike si dhe ato lirike meditative, vendosin përballë korin miks dhe orkestrën simfonike në një bashkëveprim të ndërsjelltë mes tyre.

“Rapsodia Shqiptare
“Rapsodia Shqiptare” është një vepër njëkohëshe, e konceptuar për formacion të madh orkestral. U krijua në vitin 2012, me porosi të shoqërisë orkestrale të Këlnit (Kölner Orchester Gesellschaft-KOG), me rastin e 125- vjetorit të krijimit të saj. Premierën e parë botërore e pati në Köln të Gjermanisë (26 maj, 2013) dhe një vit më vonë në Shqipëri nga e njëjta orkestër, në kuadër të javës kulturore të “Tetorit Gjerman”, në një trio koncertesh në Tiranë-Shkodër-Korçë.

Kantata për Kongresin e Manastirit për kor, solist dhe orkestër
Kjo vepër mundohet të krijojë një thirrje publike për mbrojtje të alfabetit dhe gjuhës shqipe, mbrojtje të institucionit që, sot thuajse është lënë në harresë. Për nga pikëpamja muzikore, kjo kantatë është mjaft pro-publike, një vepër për të gjithë, ku gjuha e përdorur muzikore është në përputhje të plotë me kërkesat bashkëkohore të teknikave kompozicionale, por nga ana tjetër, përdorimi i modeve dhe ritmeve popullore shqiptare e bën të kapshme për të gjithë dëgjuesit. Kjo e bën këtë vepër që muzikalisht të jetë sa europiane, aq edhe kombëtare. Me një tekst të lehtë dhe muzikal të autorit Artan Asllani, lirika e theksuar, me motivime epike, gërshetohet natyrshëm me të shprehurën muzikore, e cila i jep zhvillimit të ngjarjes impulsin e duhur dramatik dhe masivitetin që shoqëron rëndom përfytyrimin e ngjarjeve të këtilla.

Adagio – Në kujtim të një engjëlli për violonçel, orkestër harqesh dhe oboe (2009)
Një vepër elegji, që përcjell trishtimin dhe dhimbjen e kujtimeve tona të së shkuarës, largimin e të dashurve tanë që na dhanë aq gëzim kur erdhën dhe aq shumë hidhërim kur ikën.
Violonçeli, që përpiqet të notojë në një det melankolie, trishtimi, ankthi dhe drite, shoqërohet nga harqet, herë të qarta harmonikisht dhe herë-herë me faktura kërcënuese e të ngërthyera tingujsh, si dhe në momente më të rralla nga oboe solo, që luan muzikalisht më me dritë.
Interpreton në çello – Dorina Laro, As. Prof. në Universitetin e Arteve, Tiranë.

Kantata “Flas Shqip” për kor, solist dhe orkestër
“Flas Shqip” është një vepër tematike, e cila u krijua në vitin 2012, me rastin e konkursit të shpallur nga Ministria e Kulturës të atij viti. Vlerësohet si vepra fituese e kategorisë: “Muzika vokale instrumentale”. Vepra është e mbështetur mbi disa prej vargjeve të Migjenit (Millosh Gjergj Nikolla). Ka një gjuhë të pastër kompozicionale dhe përpiqet të krijojë një ambientim të qartë të realitetit shqiptar të viteve të fundit.

Sikurse del në pah edhe nga vetë titulli i koncertit, të gjitha këto vepra “flasin” shqip dhe kjo në fakt nuk është aspak e rastësishme. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Ministria e Kulturës e aso kohe (MTKRS), shpall konkursin mbarëkombëtar në fushën e krijimtarisë muzikore. Ky konkurs mbeti të tregohej si një përrallë, pasi nuk u përmbyll asnjëherë dhe fituesit nuk u shpallën kurrë zyrtarisht. Gjithsesi, produkt i këtij konkursi ishin pikërisht disa prej këtyre veprave. Kantata e Fatos Lumanit (kompozitor shqiptar i Maqedonisë) i kushtohet 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Gjithashtu, gjejmë këtu të rastit të nënvizojmë suksesin e këtyre veprave edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Muzika e Sinës, Lumanit dhe Drugës foli shqip përmes vargjeve të poezive të njohura të Asdrenit dhe Naim Frashërit te vepra e Endri Sinës, vargjet e Migjenit te Kantata e Gerti Drugës dhe vargjet e Artan Asllanit te Kantata për Kongresin e Manastirit e Fatos Lumanit. Por mbi të gjitha, këto krijime folën shqip përmes gjuhës muzikore. Modet dhe motivet e muzikës shqiptare vinin të punuara mjeshtërisht, me nivel të lartë artistik përmes teknikave të ndryshme kompozicionale bashkëkohore.

Të tre kompozitorët janë sot tre individualitete të ndryshme me potencial të madh krijues në muzikën shqiptare. Ata kanë studiuar që të tre kompozicion në Akademinë e Arteve (sot Universiteti i Arteve) në klasën e Prof. Thoma Gaqit, për të vazhduar më pas secili rrugën e tij artistike. Megjithëse kanë punuar me të njëjtin profesor në periudha të ndryshme kohore, ata krijuan fizionominë e tyre duke u bërë sot, si brenda dhe jashtë vendit përfaqësues dinjitozë të muzikës serioze shqiptare. Aktiviteti artistik i Sinës, Lumanit dhe Drugës është i pasur dhe shpesh i vlerësuar me çmime të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit. Krijimtaria e gjithsecilit prej tyre shtrihet në disa gjini të muzikës serioze si edhe në muzikën e filmit.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, përmes këtij koncerti premierë, sapo ka nisur sfidën e tij të radhës. Misioni i drejtorit Kerni për ta rikthyer këtë teatër në institucionin kult të muzikës serioze të mbarë shqiptarëve duket se po bëhet realitet. Padyshim, rruga për realizimin e kësaj ëndrre mbetet ende e gjatë dhe ka ende shumë prova për të kaluar, por gjithsesi mund të thuhet se ishte një fillim i mbarë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb