SHKODËR- Myslimanët kanë festuar sot një prej festave më domethënëse të fesë islame, Fiter Bajramin. Si në të gjithë botën, mijëra besimtarë myslimanë në Shqipëri në të gjithë qytetet kanë falur Bajramin. Edhe në Shkodër, Myftiu Muhamed Sytari ka drejtuar faljen e Namazit në sheshin kryesor.

Myftiu Sytari ka mbajtur fjalën e rastit duke uruar besimtarët dhe duke u ndalur në simbolikën e kësaj dite, por, ndërsa ai ka qenë duke folur, kanë filluar të bien kambanat e kishës. Në respekt të besimit tjetër, ai e ka ndërprerë fjalën deri sa kanë përfunduar kambanat.

“Gjatë këtij muaji të madhërueshëm të Ramazanit, u edukuam me frymën e modestisë. Sepse myslimani është modest në jetën e tij sepse myslimani nuk është arrogant në jetën e tij; se myslimani është njeri i sjellshëm në komunikimin e tij social; se myslimani është njeri që di të komunikojë dhe të sillet me gjithësinë, me njerëzit, me kafshët me bimët me çdo gjë përreth tij. Se myslimani është njeri i vlerave, e prej vlerave të besimit tonë është edhe respekti ndaj tjetrit, edhe respekti ndaj këtyre kambanave që bien për një fe tjetër, që nuk është feja e jonë mirëpo që e respektojmë dhe po ndaloj për pak çaste predikimin në respekt të vëllezërve tanë të krishterë…”, tha Sytari duke ndërprerë fjalën për pak çaste.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: