*Agjencia e lajmeve BalkanWeb uron të gjithë besimtarët myslimanë: Gëzuar Fiter Bajramin!

TIRANË- Miliona besimtarë myslimanë në të gjithë botën festojnë sot Fiter Bajramin. Krerët e politikës, Presidenti Nishani, kryeparlamentari Meta, Kreu i PD-se, ministrat e qeverisë dhe kryebashkiaku i ri, Erion Veliaj uruan besimtarët myslimanë kudo që ndodhen për festën e Fiter Bajamit.

Edhe në Tiranë është falur namazi i Fiter Bajramit që në orën 06:05 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke i dhënë fund muajit të bekuar të Ramazanit dhe agjërimit që i shoqëroi për rreth një muaj të tërë.

Ceremonia ka vazhduar me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj, i cili uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës; me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar adhurimet dhe sakrificën tonë. “Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i harmonisë, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar. Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t’i lutemi së bashku për më shumë paqe, begati gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit”, tha ndër të tjera Bruçaj.

Falja e Namazit të Fitër Bajramit u drejtua nga Kryetari Komunitetit Mysliman Skender Bruçaj, më pas besimtarët dëgjuan hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Fiter Bajrami është festa që bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fiter Bajram vjen nga ajo që myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë dhe solidarizohen me të varfrit.

KRYEMINISTRI RAMA, URON FITER BAJRAMIN PËRMES FOTOS
Kryeministri, Edi Rama ka zgjedhur një mënyrë të thjesht për të uruar besimtarët myslimanë me rastin e Fiter Bajramit. Rama ka postuar në rrjetin e tij social ‘Facebook’, një foto, ku shihet ai me dy klerikët kryesorë të fesë islame, dhe me një mbishkrim në ngjyrë jeshile ‘Gëzuar Bajramin’ shoqëruar nga një buzëqeshja.

Fotoja është bërë gjatë iftarit të shtruar nga Rama, kur ra në sy dominimi i ngjyrës jeshile.

NISHANI URON BESIMTARËT: MË SHUMË URTËSI, HARMONI, SHËNDET, MBARËSI DHE MIRËSI

Presidenti Bujar Nishani ka uruar ditën e sotme besimtarët myslimane për festën e Fiter Bajramit. Në mesazhin e tij nishani uron më shumë urtësi, harmoni, shëndet, mbarësi dhe mirësi

MESAZHI I PLOTË
Të dashur motra e vëllezër myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni!
Është një kënaqësi e madhe dhe privilegj për mua, që në cilësinë e Kryetarit të Shtetit t’ju uroj nga zemra: Gëzuar Festën e Fiter Bajramit!
Fiter Bajrami apo siç e kemi zakon ne shqiptarët ta quajmë, Bajrami i Madh, troket në dyert dhe vatrat tona familjare menjëherë pas Muajit të madhërishëm të Ramazanit, periudhës së shenjtë gjatë së cilës myslimanët e devotshëm anembanë botës kanë agjëruar duke sakrifikuar dhe duke u përpjekur të ripërtërijnë vlerat më të mira shpirtërore dhe njerëzore.
Sot kemi rastin fatlum e të hareshëm për të festuar ditën kur myslimanët I gëzohen dhe shijojnë mundësisë që ta kalojnë atë së bashku me familjarët dhe njerëzit e tyre të dashur, por jo vetëm me ta.
Njëkohësisht kemi edhe detyrimin fetar dhe shpirtëror që t’u qëndrojmë pranë e të ndihim më të pafatët, më të vobektët, më të pafuqishmit e më të vetmuarit në mënyrë që të gjithë ne, duke bashkuar lutjet, besimin e palëkundur tek i Plotfuqishmi dhe tek vlerat më të mira njerëzore, të përpiqemi kush më shumë e kush më pak, për ta bërë botën në të cilën jetojmë, më të mirë e më të paqtë, më të begatë e më të bukur, edhe për fëmijët tanë si dhe brezat e ardhshëm.
Kështu që pas muajit të agjërimit e të sakrificës suaj, të paqtimit e dashurisë pa interes për njëri- tjetrin si dhe duke pasur parasysh njërin prej virtyteve më të vyera të popullit shqiptar: bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, dëshiroj me gjithë zemër duke ju uruar edhe njëherë ju, besimtarëve myslimanë si dhe të gjithë shqiptarëve, sa më shumë urtësi, harmoni, shëndet, mbarësi dhe mirësi!

META: U UROJ BESIMTARËVE MYSLIMANË MË SHUMË PAQE, LUMURI DHE BEGATI
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për këtë festë pas vizitës në Komunitetin Mysliman Shqiptar.“I uroj të gjithë besimtarëve gëzuar Fitër Bajramin. Zoti i shpërbleftë të gjithë sakrificat e tyre shpirtërore dhe fizike dhe uroj që të kenë të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët më shumë paqe, lumuri dhe begati në shtëpitë e tyre”, tha Meta.

VELIAJ: GËZUAR FITER BAJRAMIN, ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË!
Kryebashkiaku i ri i Tiranës, ErionVeliaj ka uruar përmes rrjetit social Facebook, të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.
“Gëzuar Bajramin! Sot besimtarët myslimanë mbyllën muajin e madhërishëm të Ramazanit, muajin e sakrificës dhe paqes, muajin e solidaritetit me të varfrit. Gëzuar! Zoti e bekoftë Shqipërinë”.

BASHA URON BESIMTARËT: SHËNDET DHE MBARËSI!
Kreu i PD-së ka uruar besimtarët myslimanë në facebook për festën e Fiter Bajramit. “Gëzuar Fiter Bajramin! Shëndet, mbarësi dhe mirësi për çdo shqiptar!”- uron Basha.

KLOSI NE EMER TE QEVERISE: GËZUAR FITER BAJRAMIN, ZOTI UA PRANOFTË AGJËRIMIN!
Ministri Blendi Klosi i shoqëruar edhe nga ministrja Eglantina Gjermeni, në emër të Qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Edi Rama, me rastin e ditës së Bajramit të Madh zhvilluan vizita në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Ata kanë uruar kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj dhe kreun e Komunitetit të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj dhe nëpërmjet tyre gjithë besimtarët myslimanë dhe bektashianë, për paqe, harmoni dhe solidaritet me ata që janë më në nevojë. Pas vizitës që kreu në Komunitetin Mysliman, ministri Blendi Klosi duke folur për mediat tha:

“Bajrami është festa e mbylljes së muajit të sakrificës, muajit të agjërimit, muajit të paqes e dashurisë, ndaj shpreh urimin në emër të qeverisë dhe personalisht të kryeministrit Rama, që kjo harmoni e këtij muaji të vazhdojë në solidaritet mes nesh, mes shtresave sociale. Ky është Bajrami i parë që nuk do të flitet më për xhaminë e madhe. Dhe pak kohë, ne do ta shikojmë atë të ngrihet e të zbukurojë qytetin, duke qenë dëshmi e harmonisë fetare, ku së bashku me kishat e ndërtuara dhe së fundmi edhe me financimin e Odeonit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, plotësojnë harmoninë fetare, si edhe vëmendjen e qeverisë ndaj kulteve. Ndaj sot iu uroj shqiptarëve më shumë gëzim, harmoni, ndërsa besimtarëve të cilët agjëruan në këtë muaj: Zoti ua pranoftë agjërimin!”

PALOKA: TË GJITHË NE DUHET TË KUPTOJMË SE TË GJITHA TË MIRAT NA VIJNË NGA SAKRIFICA
Edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka uroi sot të gjithë besimtarët myslimanë në ditën e Fitër Bajramit.Në një prononcim për median, pranë ambjenteve të Komuniteti Mysliman në Tiranë, Paloka uroi, “Gëzuar festën e Fiter Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë në Shqipëri dhe në të gjithë botën. Në emër të gjithë demokratëve i uroj gëzuar festën të gjithë besimtarëve myslimane. Kjo festë është një festë e cila vjen pas një sakrifice fizike dhe shpirtërore”.“Të gjithë ne duhet të kuptojmë se të gjitha të mirat na vijnë nga sakrifica. Gëzuar festën e Fiter-Bajramit të gjithë besimtarëve në Shqipëri dhe në botë”, tha Paloka.

FITER BAJRAMI, MUFTINITË E PUKËS DHE ELBASANIT MESAZHE QYTETARËVE MBI EKSTREMIZMIN FETAR DHE EKSODIN
Falja e Fiter Bajramit është shfrytëzuar nga myftinitë e disa qyteteve shqiptare për t’u dhënë qytetarëve mesazhe lidhur me probleme të rëndësishme terrorizmi dhe eksodi. Myftiu i Elbasanit Agim Duka u shpreh para besimtarëve se e keqja po kalon kufijtë e lindjes së mesme dhe po shkon drejt Ballkanit dhe Mesdheut. “ ISIS, ky shtet terrorist është kërcënim për gjithë botën. Duhet reagim ndaj simpatisë për këtë shtet”- u shpreh Duka.

Ndërsa Myftiu i Pukës u bëri apel qytetarëve të mos largohen nga vendi. “Largimi është tradhti ndaj vendlindjes. Azili nuk është shpëtim, bëhuni më vizionarë! Ktheni sytë nga tokat tuaja bujqësore. Jemi i vetmi vend ku toka nuk punohet. Kur nuk doni vendin tuaj si mund tju duan të tjerët”- u shpreh Myftiu i Pukës.

(ma.ar/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb