VLORË- Policia e Vlorë ka parandaluar përshkallëzimin e një rasti të gjobëvënies që mund të kishte pasur pasoja për jetën.

Mësohet se dy të rinj kanë kërcënuar me jetë në rast se nuk do paguante një shumë prej 100.000 euro, një 46-vjeçar nga Vlora por janë arrestuar nga Policia gjatë pritjes për të marrë shumën e parave të kërkuara.

Kjo pasi ‘viktima’ ka denoncuar në polici se dy të rinjtë i kishin thënë se nëse nuk iu jepte paratë do ta vrisnin.

Zyrtarisht policia deklaron se Specialistët e Seksionit të Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, duke përdorur metodat speciale të hetimit si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, më datë 12.08.2017, në fshatin Qishbardhë kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasve:
– Endri Beqiraj, 28 vjeç, banues në Vlorë.
– Julo Rrokaj, 25 vjeç, banues në Vlorë.

Të dy këta shtetas prej disa muajsh kanë kërcënuar me anë të telefonit, shtetasin Sh.S., 46 vjeç, banues në Vlorë, që t’u jepte një sasi vlerash monetare prej 100.000 euro.

Ditët e fundit këta shtetas e kanë kërcënuar edhe me jetë në rast se nuk do të jepte shumën e kërkuar.
Konflikti mes 28-vjeçarit Beqiraj dhe shtetasit të kërcënuar SH.S., sipas policia ka qenë për motive të dobëta.

Materialet u referuan në Prokurori në ngarkim të tyre për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb