TIRANE– I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, deputeti Nard Ndoka ka komentuar aktualitetin politik si dhe ecurinë e reformës në drejtësi. Ndoka tha se po bëhen hapa regresivë sa i përket reformës ne drejtësi, ndërsa sipas tij Rama është peshku më i madh i drejtësisë.

“Reforma në drejtësi është prishur dhe ne kemi bërë hapa regresivë. Rama e ka përjashtuar opozitën nga procesi që me zgjedhjen e kryeprokurores së re. Zgjedhja e kryeprokurores është goditje për institucionet. Rama është ‘peshku’ më i madh i drejtësisë. Ky sillet sikur ka ardhur në pushtet para 3 muajsh. Vetëm ky flet për drejtësi dhe është bërë fare i pabesueshëm”- tha ai.

Sa i përket zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme Arta Marku vetëm me votat e mazhorancës, Ndoka u shpreh se opozita nuk ka pretendime rreth figurës së kryeprokurores, por mënyrës së zgjedhjes së saj. Ai tha se ajo ka ardhur me një listë politike dhe i kanë dhënë disa detyra të caktuara.
“Ne nuk kemi pretendime për figurën e kryeprokurores, por për mënyrën e zgjedhjes së saj. Kryeprokurorja erdhi me një listë politike dhe i dhanë ca detyra për të realizuar. Ajo goditi disa personazhe të caktuara, sapo mori detyrën”- tha aleati i PD, raporton BalkanWeb.

I pyetur për protestën e 27 janarit, Ndoka u shpreh se me rëndësi është që ajo të jetë protestë qytetare dhe në fokus të jenë problemet e qytetarëve. Sipas tij, nuk ka pengesa për bashkëpunimin me LSI, pasi çdo parti ka peshën e vet.

“Me rëndësi është që protesta të jetë qytetare dhe në fokus të jenë shqetësimet e qytetarëve. Ne duhet të rrisim besimin tek qytetarët. Është një test për faktin se janë mbyllur të gjitha shtigjet dhe e vetmja mënyrë për të penguar Ramën është protesta. LSI i ka dhënë provat si parti opozitare. Ne jemi si front i bashkuar kundër së keqes së madhe. Nuk ka pengesa për bashkëpunimin me LSI. Ne duhet të kemi një alternativë për nesër dhe për duhet të bashkëpunojmë edhe me LSI. Çdo parti politike ka peshën e vet dhe nuk ka xhelozi, pasi gjërat janë të qarta. Ka një klimë mosbesimi nga qytetarët ndaj PD”- tha kreu i PDK.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: