* Dorëheqja e Naços për arsye personale
Zbulohet letra e dorëheqjes

TIRANE- Ylli Manjani është zyrtarizuar pasditen e sotme në detyrën e ministrit të Drejtësisë në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama ka zyrtarizuar kandidaturën e tij në këtë post, pas dorëheqjes së dhënë në mesditë nga Nasip Naço, i cili ushtronte këtë detyrë prej dy vitesh.

Mësohet se dorëheqja e Naços nga posti i ministrit vjen për arsye personale, ndërsa konsiderohet e papritur duke qenë se prej muajsh po punohej për reformën në Drejtësi.

Mësohet se Naço e ka paraqitur dorëheqjen, në një takim në selinë e qeverisë me kryeministrin Rama. Pas kësaj, kreu i Qeverisë ka zhvilluar një takim konsultativ me bashkëkryetarin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Ilir Meta, e pas tij është takuar me Ylli Manjanin, dhe vetëm pak orë më pas ka ardhur zyrtarizimi i këtij të fundit në deytën e ministrit të Drejtësisë.

“Duke vlerësuar se kandidatura e Ylli Manjanit është më e përshtatshmja për të çuar më tej punën e nisur në drejtimin e institucionit, Kryeministri ka diskutuar më pas me zotin Manjani përfshirjen e tij në kabinetin qeveritar. Reforma në Drejtësi, përmirësimi i punës në zyrat e hipotekave, rritja e cilësisë së shërbimit në burgje, si edhe ritmi i asistencës teknike të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e hartimit të akteve ligjore e nënligjore në funksion të reformave, kanë qenë në fokus të bashkëbisedimit. Kryeministri e ka falenderuar Ylli Manjanin për gatishmërinë për të kryer me përgjegjshmëri dhe efikasitet detyrën e lartë dhe ka firmosur propozimin për Presidentin e Republikës që të dekretojë emërimin e tij në krye të dikasterit të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

NASIP NACO JEP DOREHEQJEN NGA DETYRA E MINISTRIT TE DREJTESISE
Largimi i Naços shënon edhe nisjen e ndryshimeve në kabinetin e qeverisë, ndërsa nuk dihet nëse do pasohet nga të tjera ndryshime. Vetë lideri i LSI-së Meta ka artikuluar shpesh kërkesën për impulse të reja në qeveri.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se nga të gjitha kontakTet që ka pasur, ka mësuar se dorëheqja e Naços ka ardhur për arsye personale. Sipas saj edhe pjestarë të ngushtë të stafit të tij nuk e kanë ditur.

“Pjestarë të stafit të ngushtë janë shprehur të habitur për këtë lajm”,- tha Lala.

Gjatë ditës së sotme janë përfolur edhe dy emra të tjerë për këtë post. Një nga emrat është Saimir Tahiri, ministri aktual i Brendshëm, dhe emri tjetër është Vasilika Hysi.

“Është përfolur që Naço të marrë ministrinë e Mbrojtjes. Ka dy emra të përfolur nëse Rama pranon dorëheqjen e tij, Saimir Tashiri, ndonëse ai e ka mohuar gjithnjë dhe emri i zonjës Vasilika Hysi, pjesë e refomës në drejtësi”,- shtoi Lala.

Nasip Naço nga radhët e LSI-së mbante këtë post prej dy vitesh. Në legjislaturën XVIII, zgjidhet deputet i Qarkut te Beratit, për Grupin Parlamentar të LSI-së, dhe në periudhën 2009-2011, ushtron detyrën e Zëvendëskryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Në vitet 2011 – 2012, ai ushtron detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Më pas rizgjidhet Zëvendëskryetar i Kuvendit të Shqipërisë në Korrik 2012.

NEWS24 ZBARDH LETRËN E DORËHEQJES QË NAÇO QË I DORËZOI RAMËS
News24 zbardh detaje nga letra e dorëheqjes së Nasip Naços, nga posti i tij si ministër i Drejtësisë, drejtuar kryeministrit Edi Rama. Teksa ka falënderuar kreun e qeverisë për bashkëpunimin e deritanishëm, Naço shton ndër të tjera se akti i tij i dorëheqjes të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit mes palëve.

“Kryeministër, duke ju falenderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, por duke qenë i bindur se reforma në drejtësi dhe përmbushja e një roli me thelbësor te Ministrisë se Drejtësisë ne përmirësimin e mirëqeverisjes dhe funksionimit te drejtësisë kërkon një nivel me te larte te bashkëpunimit dhe bashkëveprimit, jap dorëheqjen time si Ministër i Drejtësisë duke shpresuar qe ky akt te ndihmoje ne krijim në krijimin e klimës së bashkëpunimit të kërkuar për reformimin e sistemit të drejtësisë. Duke ju uruar suksese në përmbushjen e obligimeve tuaja si kryeministër dhe qeverisë. Me konsideratë, Nasip Naco”, citohet në letrën e dorëheqjes.
(ma.ar/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: