NGA Lediona XHELADINAJ

KORÇË– Nata e dytë e Festës së Birrës ka “ndezur” qytetin e Korçës. Mijëra vetë nga rrethe të ndryshme të vendit dhe jo vetëm kanë “pushtuar” sheshin në krah të stadiumit “Skënderbeu” dhe Pazarin e Vjetër, duke festuar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Muzika ‘live’ me zërat më të mirë të skenës shqiptare ka krijuar atmosferë të ngrohtë për pjesëmarrësit, të cilët e kanë gdhirë duke kërcyer dhe konsumuar birrën “Korça”.

Festa e Birrës është një ndër evenimentet më të preferuara për turistët vendas dhe të huaj, të cilët kanë zaptuar çdo cep të qytetit, ndërsa hotelet janë të tejmbushura. Shumë prej tyre kanë udhëtuar me kilometra të tëra për të qenë të pranishëm në këtë festë të mrekullueshme, ndërsa të gjithë preferojnë mbretëreshën birra “Korça”.

I gjithë qyteti është në festë. Në çdo orë, në çdo kohë, të gjitha rrugët janë të mbushura me “mysafirë” të ardhur nga i gjithë vendi. Nata e dytë ka kapërcyer çdo parashikim të organizatorëve, duke shënuar shifra në rritje të pjesëmarrësve në tendat e birrës së parë shqiptare.

Teksa kanë mbërritur nga çdo qytet i Shqipërisë, por edhe nga vendet e tjera, turistët kanë nxituar për të marrë gotat e para të birrës “Korça” dhe kanë shijuar më tej çdo moment të festës. Vetëm në natën e dytë janë konsumuar 80.000 gota birrë.

Atmosfera festive është ndezur edhe më tej nën shoqërinë e muzikës shqiptare dhe të huaj, e cila së bashku me birrën “Korça” e kanë shndërruar sheshin para Pallatit të Sportit “Tamara Nikolla” në një hapësirë gjigante festive. Mbrëmë kanë entuziazmuar pjesëmarrësit me këngët e tyre: Altin Goci, Xhesika Polo, “Blendi Polena Band” dhe “Tiri Band”.

Ndryshe nga çdo vit tjetër, këtë herë festa është kuruar në çdo detaj. Vala festive ka gjallëruar së tepërmi gjithë qytetin e Korçës, ku “Beer Bike” me logon e birrës “Korça” ka qenë prezente duke e mbajtur gjallë atmosferën e festës.

Mbrëmja e dytë e kësaj feste ka sjellë një atmosferë që rrallëherë mund të shijohet, pasi çdo pjesëmarrës ka kërcyer e kënduar duke konsumuar birrën “Korça”. Mbrëmja ka startuar në orën 20:30, ku të gjithë pjesëmarrësit me padurim kanë pritur që të nisë argëtimi.

Festa më e madhe verore në Shqipëri ka sjellë turistë jo vetëm nga vendi, por edhe nga jashtë kufijve, të cilët e kanë vlerësuar atë dhe krahasuar me koncertet e festat madhështore që organizohen në vende të ndryshme të botës. Një grup investitorësh zviceranë kanë vizituar dje ambientet e gjigantit teknologjik të prodhimit të birrës, fabrikën e birrës “Korça”.

Përveç impresioneve të tyre, ata janë surprizuar edhe nga ambientet e lokalit të ri, i cili do të hapë dyert së shpejti për t’u ofruar të gjithëve birrën e sapoprodhuar. Një projekt ku ndërthuren vlerat e ruajtura të ndërtimit të 90 viteve më parë me stilin klasik, për të sjellë një rezultat unik në qytetin e Korçës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: