TIRANE-Një vit e gjysmë pasi Presidenti i Republikës refuzoi faljen e saj, Nazime Visha e dënuar me dhjetë vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes me dashje, kërkon amnistinë në Gjykatë.

 

Më 19 mars 2015, në Gjykatën e Tiranës është regjistruar kërkesa penale e të dënuarës Nazime Visha. Ajo kërkon të përfitojë nga amnistia për faljen e dënimit të dhënë ndaj saj nga Gjykata për akuzën e vrasjes së Fiqiri Muçës, ngjarje kjo e ndodhur në gushtin e vitit 2012. Kërkesa e bërë nga e dënuara Nazime Visha është hedhur në short nga ana e Gjykatës, e cila ka përcaktuar se gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën është Sokol Tona. Pas hedhjes në short, pritet që Gjykata të hapë shqyrtimin gjyqësor për kërkesën në fjalë, e cila do të shqyrtohet në seancë gjyqësore. Nazime Visha, e cila po vuan dënimin në burgun 325 në Tiranë, edhe më parë ka kërkuar falje, duke iu drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës. Kreu i shtetit, më 28 dhjetor 2013, refuzoi kërkesën për faljen e Nazime Vishës, me argumentin se dosja e saj nuk përmbushte kriteret e nevojshme për faljen e dënimit të dhënë. Nazime Visha është akuzuar nga Prokuroria për vrasje me dashje ndaj Fiqiri Muçës, dhe për këtë krim është dënuar me dhjetë vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë. Gjatë procesit, Nazime Visha deklaroi se kishte vrarë dhunuesin e saj, ndërsa kërkoi mëshirë nga Gjykata. Kërkesa e saj nuk u pranua dhe për rrjedhojë dënimi i 21­ vjeçares u la në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit, duke marrë kështu formë të prerë.

 

KËRKESA E NAZIMES

Referuar kërkesës së bërë në Gjykatën e Tiranës, Nazime Visha pretendon të përfitojë nga përcaktimet e nenit 72, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Në këtë nen, me titull “amnistia”, thuhet se “me aktin e amnistisë, organi kompetent përjashton nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë”. Sipas dispozitës në vazhdim, amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së saj, veç rastit kur në aktin përkatës vendoset ndryshe. Në kërkesë, Nazime Visha thekson se për shkak se ka vuajtur më shumë se gjysmën e dënimit, kërkon faljen e kohës që i ka mbetur për të.

 

(a.n/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: