Ambasadori i vendit tonë në Egjipt, Eduard Sulo ka reaguar sërish lidhur me ndalimin e një anije shqiptare në Libi. I kontaktuar nga “News 24” dhe “BalkanWeb”, Sulo thotë se 5 marinarët shqiptarë janë ende në bordin e anijes ENVI në një port në perëndim të Tripolit, ndërsa ka siguruar se ata janë shumë mirë. Mes të tjerash ai theksoi se u ka kërkuar autoriteteve libiane që të kontaktojë me marinarët shqiptarë, pasi ata nuk kanë telefona me vete.

“Jam në kontakt me Ministrinë e Jashtme libiane. 5 marinarët shqiptarë janë ende në bordin e anijes ENVI 1. Autoritetet libiane më siguruan se marinarët janë mirë. Marinarët, të sigurt në një port në perëndim të Tripolit. Nuk kam komunikuar personalisht me marinarët shqiptarë pasi ata nuk kanë telefona me vete. Iu kam kërkuar autoriteteve të komunikoj me ta. Anija tregtare po hetohet në portin afër Tripolit”, tha ambasadori.

Dje ambasadori tha se autoritetet në Libi pretendojnë se anija shqiptare është marrë me transport të paligjshëm të materialeve të ndërtimit, kryesisht rërë dhe zhavorre. Sakaq, ai sqaron se autoritetet në Libi e kanë garantuar për sigurinë e marinarëve shqiptarë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: