EGJIPT– Ambasadori i vendit tonë në Egjipt, Eduard Sulo ka sqaruar pretendimet e autoriteteve Libiane pas ndalimit të një anije shqiptare. I kontaktuar nga “News 24” dhe “BalkanWeb”, Sulo thotë se autoritetet në Libi pretendojnë se anija shqiptare është marrë me transport të paligjshëm të materialeve të ndërtimit, kryesisht rërë dhe zhavorre.

Sakaq, ai sqaron se autoritetet në Libi e kanë garantuar për sigurinë e marinarëve shqiptarë.

“Përpjekjet tona janë të gjithanshme. Pasi u vumë në dijeni dje pasdite nga Ministria e jashtme ne jemi vënë në lëvizje. Nga kontaktet që kam pasur me ambasadën në Libi kam mësuar se anija pretendohet se është marrë me transport të paligjshëm të materialeve të ndërtimit, kryesisht rërë dhe zhavorre. Kjo nuk është e konfirmuar, por nga ambasada më është thënë se autoritetet vendase kanë një hetim për këtë. Anija është rikthyer në portin e Tripolit, pasi po largohej drejt Maltës.

Personalisht nuk kam mundur të kontaktoj me marinarët, edhe pse i kam kërkuar autoriteteve libiane të më kontaktojnë me ta. Kam marrë informacion, se autoritetet i kanë marrë në mbrojtje marinarët dhe anijen”, u shpreh ambasadori Eduard Sulo.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb