Nga Erion Kaçorri
Ambasadori i Britanisë së madhe në Tiranë Duncan Norman shprehu këtë të premte shqetësimin në lidhje me ndërhyrjet ruse në Ballkan. Duke mos dashur t’i përgjigjet në mënyrë direkte pyetjes mbi informacionet e fundit për një ndërhyrje ruse në politikën shqiptare, ambasadori Norman theksoi se ekziston shqetësimi për një ndikim të Moskës në rajon dhe shembulli më i mirë ishin ngjarjet në Malin e Zi.

“Nuk do të komentoj mbi akuzat që bëhen mes PS-dhe PD sepse nuk do të ishte korrekte nga ana ime, por mund të them se jemi të shqetësuar mbi një aktivitet më të gjerë rus në rajon duke përfshire edhe atë që ndodhi në Malin e Zi kohë më pare”, u shpreh ambasadori Norman.

Deklarata e Norman erdhi gjatë një takimi me gazetarë në lidhje me incidentin më të fundit ku ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij Julia u helmuan me një agjent nervor ngjarje për të cilën Londra ka kërkuar shpjegime.

“Britania e madhe e ka hetuar në mënyrë të tërësishme këtë incident. Sergei Skripal dhe vajza e tij Julia u helmuan me një agjent nervor ushtarak zhvilluar nga Rusia. Bazuar në hetimet tona qeveria britanike ka arritur në përfundimin se ka shumë të ngjarë që Rusia është përgjegjëse për këtë akt kundër Sergeit dhe vajzës së tij. Arritëm në përfundimin se janë vetëm dy shpjegime të mundshme. Ose ky ka qenë një akt direkt nga shteti rus kundër vendit tonë ose qeveria ruse ka humbur kontrollin e këtij agjenti nervor mjaft të rrezikshëm duke lejuar që të bjerë në duart e të tjerëve. Ministri ynë i jashtëm Boris Johnson thirri ambasadorin rus dhe i kërkoi që të japë shpjegime mbi këto dy alternativa”.

Sipas ambasadorit britanik Rusia nuk ofroi asnjë shpjegim sesi ky agjent nervor u përdor në Britaninë e Madhe dhe se Londra nuk do të tolerojë vrasjen e njerëzve të pafajshëm në territorin e saj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb