ITALI- “Ndaloni të gjithë, është një grabitje”, por punonjësit e bankës e injorojnë dhe ai me pistoletë në dorë, i kapur nga paniku ia mbath së bashku me bashkëpunëtorin që e priste në hyrje.

Nuk është skena e filmit “Fantozzi në Parajsë”, ku llogaritari Ugo dhe Filini inskenojnë një tentativë grabitje të tmerrshme. Ka ndodhur në muajin prill në Lombriasco, në provincën e Torinos.

Gjatë orarit të hapjes me publikun, një burrë 40-vjeçar ka hyrë në një bankë i armatosur me pistoletë dhe me justifikimin se do bënte një transferim, iu afrua sportelit duke i kërkuar punonjëses të hapte derën që çon në pjesën e pasme të arkës.

Por gruaja në fakt, në vend që të hidhej përpjetë nga lemeria dhe të binte pre e kërcënimeve, në fillim e ka injoruar atë dhe më pas, me kërkesën e disatë të keqbërësit i ka shpjeguar se nuk mund të hapte portën e blinduar sepse ishte e bllokuar.

Pas kësaj përgjigjeje, hajduti i kapur në befasi ka zgjedhur të largohet nga hyrja kryesore, ku e priste një bashkëpunëtor edhe ai 40 vjeç.

Sipas asaj që raporton Adnkronos, grabitësi dhe bashkëpunëtori i tij janë identifikuar falë kamerave të sigurisë dhe nga dëshmitë e disa klientëve të bankës. Të dy janë arrestuar pak ditë më parë nga karabinierët e Moncalierit dhe Formias.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: